Kuvendi i Kosovës

Kosova & Rajoni

Dështon seanca e 13-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

9 Maj, 08:38| Përditesimi: 9 Maj, 11:05

  • Share

Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish - në përpjekjen e tyre të trembëdhjetë - ta konstituojnë Kuvendin e ri.

Dështimi më i fundit ndodhi të premten, pikërisht tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të premten kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të dielën në mëngjes.

Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.

Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.

Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.

Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Pas dështimeve të njëpasnjëshme të Haxhiut për t'i marrë votat e nevojshme gjatë votimit të hapur, kryesuesi në seancat e fundit ka tentuar ta sjellë votim të fshehtë dhe për këtë AAK-ja tha se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se votimi i fshehtë është shkelje.

Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.

LDK-ja, e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse, e ka hedhur poshtë ofertën e Vetëvendosjes për koalicion qeverisës.

Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

Derisa Vetëvendosje e ka kundërshtuar menjëherë idenë e një qeveri të tillë, partitë e tjera parlamentare kanë shprehur vullnet për të biseduar.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, tha për Radion Evropa e Lirë se kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike.

Ai theksoi se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme”, tha Visoka.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar në daljen nga ngërçi politik.

Këshilltari i saj, Bekim Kupina, tha të enjten se kabineti presidencial do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për një takim me udhëheqësit e subjekteve politike.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?