Është shtyrë seanca paraprake për dosjen në ngarkim të Erion Veliaj. Shkak për moszhvillimin e seancës është bërë bojkoti i avokatëve, i cili vazhdon dhe ditën e sotme pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit ku u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja.
Seanca e radhës do të mbahet më 21 tetor në orën 09:00. Ndërkohë ditën e sotme në GJKKO ishte paraqitur dhe biznesmeni Elman Abule, i cili gjithashtu është i pandehur në këtë dosje.
Veliaj do të përballet në gjykatë me pesë akuza të rënda: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli. Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, në marrëdhënie me disa kompani që, në këmbim të përfitimeve të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme, kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo akuzohet po ashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave. Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Një tjetër i pandehur është Fatjon Baci, gardiani i burgut të Durrësit, i cili akuzohet se i dha telefonin celular Veliajt gjatë transferimit nga qelia në gjykatë, në dy raste të veçanta.
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Por, sot Veliaj depozitoi ankimin në Kushtetuese, kërkesë e cila pezullon shkarkimin e tij dhe bllokon zgjedhjet e parakohshme në Tiranë deri kur të shprehet gjykata më e lartë në vend.
Komente

Spak tregon forcen me gardianin e burgut. I jepnit nje verejtje dhe kaq mjafton. E moret ne qafe hallexhiun,ushqen familjen me 50.000 lek rroge. Turp per spak!
Përgjigju