A do të ketë një krizë globale të furnizimit me ushqime?

3 Mars 2022, 23:56| Përditesimi: 3 Mars 2022, 23:59

  • Share

“New York Times”

Ndërsa shohim pamjet e refugjatëve ukrainas që mbërrijnë me makinë apo në këmbë në Poloni, është e vështirë të mos rikujtojmë Luftën e Dytë Botërore, kur rajoni u shkatërrua nga luftimet, kur pati një uri masive, dhe kur miliona ukrainas vdiqën nga uria.

Fatmirësisht nuk jemi pranë kësaj pike; megjithatë, ndërprerjet e furnizimeve me ushqime, nuk do të mbeten të izoluara. Ajo që po ndodh tani në Ukrainë, do të ketë pasoja të gjera në shumë vende, dhe po e kërcënon që tani disponueshmërinë e ushqimit në vendet më pak të zhvilluara, të cilat kanë filluar që të varen nga eksportet e drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore, si nga Ukraina ashtu edhe Rusia.

Rajoni i Detit të Zi, është sot një qendër shumë e rëndësishme e prodhimit dhe tregtisë globale të produkteve bujqësore, dhe Ukraina është një nga “hambarët” që ka sot bota. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina dhe Rusia ishin importuese të rëndësishme të grurit.

Sot këto 2 vende përbëjnë 29 për qind të eksporteve globale të grurit. Po ashtu ato kontribuojnë me 19 për qind të prodhimit global të misrit, dhe 80 për qind të eksporteve globale të vajit të lulediellit. Pas vetëm disa ditë luftimesh, janë tronditur tregjet globale të produkteve ushqimore.

Javën e shkuar u ndalua transporti në Detin Azov. Çmimet në kontratat e reja të blerjes së grurit u rritën me 12 për qind në Bordin e Tregtisë në Çikago. Kjo rritje i tejkaloi çmimet tashmë të fryra. Drithërat kryesore, përbëjnë pjesën më të madhe të dietës ushqimore për banorët më të varfër të botës.

Dhe çmimet më të larta kërcënojnë të krijojnë jo pak vështirësi për vendet e varfra si Bangladeshi, Sudani dhe Pakistani, të cilat në vitin 2020 importuan afro gjysmën ose më shumë të grurit të tyre nga Rusia ose Ukraina, por edhe nga Egjipti dhe Turqia.

Vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, përjetuan një rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve në vitin 2010, kur Ukraina kufizoi eksportet e saj të grurit, duke pakësuar furnizimet e vazhdueshme me ushqime për këto vende, dhe duke kontribuar në destabilitetinpolitik që shpërtheu në të gjithë rajonin.

Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit për shkak të pandeminë, i kanë rritur tashmë çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera bazë. Shumë vende importuese të ushqimeve, që kanë të ardhura të ulëta, kanë përjetuar një rritje të niveleve të kequshqyerjes.

Si për t’i bërë përkeqësuar më tej gjërat, Rusia dhe Bjellorusia, një trampolinë shtesë për pushtimin e Ukrainës dhe një aleat e ngushtë i Rusisë, janë gjithashtu eksportuesit kryesorë të plehrave kimikë, me Rusinë në krye të listës. Çmimet, që ishin në nivele historikisht të larta para luftës, janë rritur akoma më shumë.

Mungesa e plehrave kimikë, e rrezikon prodhimin global të të korrave, në një kohë kur mund të humbasë 13 për qind prodhimit të misrit dhe 12 për qind e eksporteve globale nga Ukraina.

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara, paralajmëroi që në nëntorin e vitit 2021, se bota po përballej me “urinë katastrofike” të qindra miliona njerëzve, ndërsa organizata humanitare ndodhet në pamundësi financiare për të ofruar ndihmë për vendet që po hasin më shumë probleme.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në Afganistan, ku uria ka prekur miliona njerëz. “Kostot e karburantit janë rritur, çmimet e ushqimeve po rriten, plehrat kimikë janë më të shtrenjtë, dhe e gjitha kjo ushqen kriza të reja”– deklaroi në atë kohë drejtori ekzekutiv i programit, DavidBeasley.

Tani pushtimi rus i Ukrainës i ka thelluar ndjeshëm këto probleme, duke kërcënuar sigurinë e vendeve që tashmë mezi po arrijnë të ushqejnë popullsinë e tyre. Komuniteti ndërkombëtar, duhet të marrë sa më parë hapa për të parandaluar krizën e përshpejtuar ushqimore, që mund të shkaktohet nga lufta në Ukrainë.

Vendet – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Francën dhe Australinë – duhet të shmangin kufizimin e eksporteve të grurit, dhe të punojnë për të garantuar që tregtia të kontribuojë në disponueshmërinë globale të ushqimit. Vendet që mbështeten tek Ukraina dhe Rusia për drithërat e tyre, duhet të bashkëpunojnë me prodhuesit e tjerë të grurit për të diversifikuar zinxhirët e tyre të furnizimit me produkte bujqësore.

Sanksionet kundër Rusisë duhet të vlerësohen me kujdes, për të siguruar që ato të mos e  përkeqësojnë mungesën e ushqimit në vendet më të brishta. Përpjekjet ndërkombëtare për të ulur çmimet e plehrave kimikë, duke mbajtur të ulëta çmimet e energjisë dhe hapur tregtinë në këtë sektor, do të ndihmonin fermerët në mbarë botën që të shtonin të korrat.

Çmimet e ushqimeve kanë qenë të larta jo vetëm për shkak të pandemisë aktuale, por edhe sepse vajrat e palmës dhe të sojës, po përdoren më shumë si karburant në Bashkimin Evropian, dhe misri për prodhimin e etanolit në Shtetet e Bashkuara.

Devijimi i kësaj sasie drithi drejt furnizimi ushqimor, mund të ndihmojë në uljen e çmimeve, duke zëvendësuar humbjet e pashmangshme nga Ukraina dhe Rusia. Ndërkaq, është e qartë se duke pasur parasysh sfidat financiare të Programit Botëror të Ushqimit, nevojiten strategji të reja për financimin e ndihmës humanitare.

Siguria ushqimore është thelbësore për sigurinë e një kombi. Përgjatë gjithë historisë, ne kemi parë që konfliktet i ndërpresin furnizimet ushqimore dhe ç’është më shqetësuese, e ndërrojnë ushqimin në një armë lufte. Prioriteti i sigurisë ushqimore për vendet që varen nga Ukraina dhe Rusia është jetik.

NATO dhe aleatët e saj, duhet që veprojnë me shpejtësi për të stabilizuar furnizimet ushqimore, dhe të sigurojnë pajisjen me sasitë e duhura të ushqimeve për misionet humanitare që veprojnë në Ukrainë. Integrimi dhe zhvillimi global që nga Lufta e Dytë Botërore, e ka reduktuar në mënyrë dramatike urinë në mbarë botën.

Por konflikti mbetet një nga nxitësit kryesorë të urisë, dhe i ndërprerjeve të furnizimit, që mund ta përkeqësojnë sigurinë e kombeve. Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë tani, që të mbajë në nivele të ulëta çmimet e ushqimeve, dhe të garantojë shkuarjen e furnizimeve me drithëra në vendet më të cenueshme. Ne duhet të ndërmarrim veprime që të parandalojmë përdorimin e urisë si një armë luftë në shekullin XXI, në Ukrainë dhe gjetkë./ Bota.al

er.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?