Zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Turqi më 14 maj, shënojnë sfidën më të madhe politike deri më tani për Erdoganin, synimi i të cilit është të zgjasë sa më shumë pushtetin e tij 20-vjeçar.
Kemal Kılıçdaroğlu është sfiduesi kryesor i Erdoganit , i cili nuk pa asnjë sukses në politikë, përveçse pasoi Deniz Baykal në vitin 2010 si lider në Partinë Republikane Popullore.
Votimet e 14 majit do të vendosin jo vetëm se kush do ta udhëheqë Turqinë, por si do të qeveriset ky shtet, në cilin drejtim do të shkojë ekonomia dhe çfarë roli mund të luajë Ankaraja për të zbutur konfliktin në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
Nëse Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit humb, kundërshtarët e tij kanë premtuar ndryshime radikale.
Sondazhet deri më tani tregojnë se Kilicdaroglu kryeson, por Erdogan është një lojtar i fuqishëm elektoral, me forcën e plotë të shtetit dhe institucioneve të tij në kurriz dhe nëse Erdogan fiton ai do ta përdorë këtë moment për të ecur drejt një modeli gjithnjë e më konservator fetar, i karakterizuar nga centralizmi rajonal, me fuqi më të mëdha politike të përqendruara rreth tij.
Opozita e Turqisë, një koalicion gjashtëpartiak i kryesuar nga Kılıçdaroğlu dhe i bashkuar me qëllimin e vetëm për të hequr Erdoganin nga pushteti, beson se problemet me të cilat përballet vendi duhet ta bëjnë këtë zgjedhje të lehtë.
Një krizë e thellë ekonomike dhe një reagim i dobët i qeverisë ndaj dy tërmeteve të fuqishëm që goditën vendin në shkurt kanë mbyllur 20 vjet nën drejtimin e Erdoganit dhe partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila duket e gatshme të pësojë humbje në zgjedhjet parlamentare të mbajtura së bashku me votimin për president.
Këto janë zgjedhjet e para që kur Turqia mbajti zgjedhjet e para shumëpartiake, rreth 73 vjet më parë në të cilat do të konkurrojnë një numër kaq i lartë aleancash.