Donald Trump dhe Xi Jinping

Bota

A do të zgjasë marrëveshja SHBA-Kinë? Çipat, mineralet e rralla dhe studentët: Çfarë mund të shkojë keq?

12 Qershor, 09:38| Përditesimi: 12 Qershor, 09:41

  • Share

Nga Dita e Çlirimit te paqja në Londër, lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të shënojë një pikë kthese historike në marrëdhëniet ekonomike mes Uashingtonit dhe Pekinit. “Presidenti Xi dhe unë do të punojmë ngushtësisht për të hapur Kinën ndaj tregtisë amerikane. Do të ishte një FITORE e madhe për të dy vendet!!!”, shkroi presidenti amerikan në një postim në rrjetin Truth, pasi njoftoi marrëveshjen.

Embargo reciprok

Që sot, marrëveshja përfaqëson një armëpushim strategjik, pas përshkallëzimit që çoi në vendosjen e tarifave të ndërsjella të shpallura nga Trump më 2 prill, të quajtur “dita e Çlirimit”, nga 34% deri në 145%. Një mur të cilit Pekini iu përgjigj me tarifa 125% dhe me një bllokim të eksportit të disa mineraleve të rralla dhe magnetëve të domosdoshëm për industritë e së ardhmes, nga elektronika e avancuar, te shëndetësia dhe mbrojtja. Në thelb, një embargo reciproke, që rrezikoi të paralizonte shkëmbimet tregtare mes dy superfuqive, me pasoja të rënda për ekonomitë e ndërlidhura deri në pikën e ndaljes së shumë industrive, duke nisur nga ajo e automobilave të prodhuar në SHBA.

Moratoriumi i 9 prillit, që uli tarifat në 10% për shumicën e partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara, përjashtoi Kinën. Por zinxhirët e vlerës janë aq të integruar sa që në këtë përplasje tregtare rrezikojnë të humbasin të gjithë, siç treguan me saktësi edhe tregjet.

Përshkallëzimi dhe rifillimi i ngadaltë i dialogut

Kështu u arrit armëpushimi i Gjenevës gjatë fundjavës së 10 dhe 11 majit, i udhëhequr personalisht nga sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe zv.kryeministri kinez He Lifeng, me një ulje prej 115% të tarifave të ndërsjella, të cilat ranë në 30% për mallrat që SHBA importon nga Kina dhe në 10% për mallrat amerikane të shitura në Kinë, si dhe 90 ditë kohë për të firmosur një marrëveshje të përgjithshme. Një armëpushim i brishtë, i thyer nga akuza të ndërsjella për shkelje të kushteve në fillim të qershorit, me amerikanët që akuzuan Kinën për vonesa në lejimin e eksporteve të mineraleve të rralla.

Britania e Madhe hap rrugën

Pas një telefonate emergjente midis presidentit amerikan dhe atij kinez Xi Jinping, javën e kaluar, situata u zbut në Mbretërinë e Bashkuar, vendi i parë që arriti një marrëveshje tregtare me SHBA. Në rezidencën historike Lancaster House, Bessent, së bashku me sekretarin për Tregtinë Lutnick dhe përfaqësuesin për Tregtinë Jamieson Greer, negocioi një marrëveshje të strukturuar: furnizime të parakohshme të mineraleve të rralla nga ana kineze në këmbim të rikthimit të vizave për studentët kinezë në universitetet amerikane dhe një lehtësim selektiv të kufizimeve mbi eksportin e komponentëve hi-tech, me përjashtimin, megjithatë, të çipeve më të avancuar. Ndërkohë, tarifat e reja mbeten në nivelet e Gjenevës.

Çipet, mineralet e rralla dhe studentët: pikat e shkëmbimit

Për Shtetet e Bashkuara, marrëveshja ul rrezikun e ndërprerjes së furnizimeve me mineralet e rralla, stabilizon zinxhirët globalë dhe mbron interesat vendase. Për Kinën, garanton një rrjedhë të qëndrueshme studentësh dhe ul tensionet tregtare. Për Trump, është një fitore simbolike, sepse njeh nacionalizmin e tij ekonomik, edhe pse përfshin lëshime mbi burime kritike.

Nëse do të zgjasë. “Nëse Kina do të korrigjojë kursin duke respektuar pjesën e saj të marrëveshjes tregtare fillestare që përcaktuam në Gjenevë muajin e kaluar, atëherë një riekuilibrim i madh dhe i bukur i dy ekonomive më të mëdha të botës do të jetë i mundur”, deklaroi dje Bessent duke dëshmuar në Senat.

Çfarë mund të shkojë keq

Por edhe Pekini mbetet skeptik dhe synon të vendosë një afat gjashtëmujor për licencat e eksportit të mineraleve të rralla për prodhuesit e makinave dhe industrinë amerikane, duke i lënë vetes një hapësirë manovrimi në rast se tensionet tregtare rikthehen. Nga Dita e Çlirimit e deri më sot, vijat e ashpra të Trump i kanë lënë vend realpolitikës ekonomike, që shpëton teknologjinë e lartë dhe çaktivizon rrezikun e embargos. Por marrëveshja me Pekinin është vetëm fillimi: përplasja e vërtetë do të zhvillohet mbi gjysmëpërçuesit, çipet e avancuara dhe teknologjitë e reja./Corriere della Sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?