Pas negociatave të SHBA-së dhe Rusisë në Riad, gazeta gjermane ‘Bild’ në një artikull shkruante se trupat amerikanë mund të tërhiqen dhe nga Kosova.
Lidhur me këtë është diskutuar edhe ditën e sotme në emision ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, ku eksperti i Sigurisë në Kosovë Drizan Shala tha se do të ketë dislokim të trupave nga disa vende, si Estoni dhe Lituani, por jo tërheqje.
Ai u ndal edhe tek marrëdheniet jo të mira mes SHBA dhe Kosovës kohët e fundit.
‘Kosova nuk i ka mbajtur raportet e mira me SHBA gjatë kësaj periudhe dhe kjo ndikon në një situatë ku Kosova merr kartonin e kuq sa i përket marrëdhënieve me SHBA. Mund të themi se Kosova duhet që të jetë e vetëdijshme, sepse ato informacione qëndrojnë nëse i referohemi edhe qëndrimit të SHBA për ta ulur koston e shpenzimeve në pjesën e infrastrukturës, i referohet bazave ushtarake që ishin vendosur gjatë luftës së ftohtë në pjesën e ballafaqimit me Bashkimin Sovjetik. Por, që informacioni i BILD nuk do të thotë tërheqja e trupave amerikane, por do kemi dislokim tek pjesa e Estonisë, Lituanisë dhe Finlandës’, tha ai.
I pyetur nëse ka rrezik që të ketë një shkurtim të trupave të NATO-së në Kosovë, ai tha se duke iu referuar edhe qëndrimeve të NATO dhe SHBA ata kanë thënë se nuk do të ketë.
‘Sa i përket çështjes së Ballkanit Perëndimor ne e dimë që forcat e armatosura amerikane në Kosovë janë 660 ushtar të cilët janë të dislokuar në pjesën e rajonit të Ferizajt, pra në pjesën ku forcat ushtarake serbe kanë të dislokuara bazat e saja. Nëse i referohemi qëndrimeve zyrtare të komandës së NATO dhe Ambasada së SHBA në Bruksel kanë dhënë mesazhin e qartë se nuk do të ketë reduktim të trupave në kontekstin e ofrimit të sigurisë dhe mandatit të misionit që ka KFOR në do të qëndrojmë krah partnereve tanë për të garantuar dhe siguruar një shtrirje operacionale që garanton stabilitetin e rajonit perëndimor. Amerika po bënë reduktim të shpenzimeve për personelin e saj dhe është e natyrshme që të kërkojë mbështetje nga partnerët që deri më tani kanë gëzuar një siguri të ofruar nga taksapaguesit amerikan’, tha ai.
Sipas ekspertit, pa KFOR Kosova do ta kishte të vështirë mbajtjen e ekuilibrit të sigurisë.
‘Mungesa e KFOR në Kosovë do të ishte e vështirë mbajtja e ekuilibrit të sigurisë, por nuk do të ketë reduktim apo minimizim sepse Amerika e ka dëshmuar se prezenca e tyre do të jetë e domosdoshme për ta mirëmbajtur sigurinë e ofruar nga KFOR’, tha ai.
Komente
