A mund të gjobitet apo të dënohet dikush që mendon dhe e shpreh publikisht se toka asht e sheshtë apo që kundërshton vlerën e ligjeve të Newton-it?! E pra janë ligje që kanë nji statut epistemologjik solid. Aq ma tepër dikush që pohon marrina në lidhje me historinë e gjuhës dhe kulturës sonë, të vërtetat e të cilave kanë nji statut tjetër në krahasim me ligjet e natyrës!
Hapsina publike kudo asht e mbushun me sharlatanë por asht absurditet me mendue se çeshtja e sharlatanëve mund të rregullohet me peticione, me norma apo ligje, tue qenë se këto të fundit nuk janë në gjendje me ba mrekullina. Edhe po u miratue nji normë, nji dekret apo rregullore (përfytyroj ndërkaq fytyra të çmerituna në Strasburg), sharlatanët të nesërmen do të zgjoheshin nga gjumi po me të njejtin zell dhe do të zhvendoseshin në nji hapsinë tjetër publike.
Mandej nuk e di sesa do t’i vlente shkencës së vërtetë shpallja “anmik i popullit” i nji gomari me zile që del në televizion dhe zbavit disa të ngjashëm të tij!
Ndokush kujton se përjashtimi nga hapsina publike i sharlatanëve i zgjidh problemet, kjo ngjet nga që tek ne gjuha e forcës asht ende mikluese, por do të ishte ma mirë me pyet veten pse ka kaq shumë (aq sa janë) që i ndiejnë dhe i vehen mbrapa sharlatanëve!
Për dekada asht ba sehir ndërsa arsimi i ulët dhe i mesëm publik shkatrrohej me themel, kurse ai i nalti, në vend që të ecte me ritmet e duhuna shpërfytyrohej në kioska ambulante që shtypin diploma, e në ato kioska ke mujtë me gjetë jo pak sqimatarë të shkencës tue nënshkrue në bordero.
Kemi krijue nji sistem të kalbun arsimor që nuk i reziston dot sfidave të kohës, kemi krijue nji shoqni me nji kulturë aq të ulët sa që trembet edhe prej tre-katër tekahytash të ndërkryem. Ata që gjejnë strehë në asi teorinash kallpe e bajnë ma së shumti për shkak të sensit të inferioritetit që rrjedh prej mjerimit të së përditshmes, prej frustrimit që ka prodhue dhe prodhon klasa politike e këtyne dekadave, pa u kujtue se teorina të atilla e bajnë qesharak kombin dhe gjuhën tonë.
Testi i fundit ndërkombëtar i “Pisa” tregoi se vendi ynë ka ramje të theksueme në arsim. Kjo ndodh pse kultura dhe arsimi nuk kanë qenë dhe nuk janë prioritet tek ne, prandaj s’duhet të çuditena nëse zbraztia dhe shkretia që ka krijue politika mbushet me sharlatanë, me injoranta dhe deliranta. I kemi në krye e mandej na duket çudi që janë edhe në bisht!
Megjithatë, edhe nëse kemi humbë betejën për dijen dhe kulturën, të paktën nuk duhet të bajmë gabimin fatal me humbë edhe tolerancën ndaj atyne që kanë rrëshqitë ose janë të ekspozuem ndaj gomarlleqeve që shprazen përnatë në televizionet shqiptare.
Askujt nuk do të duhej t’i hiqej fjala e lirë, sado e pasaktë dhe joshkencore të jetë ajo. Ndoshta do të mjaftonte që Shteti shqiptar mos t’i jepte ma miliona reklama atyne televizioneve që nxjerrin në plan të parë teveqela e bihude nga mëngjesi deri në darkë, e ky fenomen do të ridimensionohej. Pellazgërinat dhe revanshizmat infantiliste janë vetëm leskrat e dukshme të inferioritetit dhe mjerimit të nji sistemi të tanë që asht ma afër përmbarimit sesa rilindjes së vet.
Shkrim i arrirë dhe me shumë koherencë... Na mbytën idiotët 'intelektualë' dhe Don Kishotët e Sanço Pançot mbi gomarë. Atyre i duhet mbyllur kamarja e pisët dhe injorante, se po e ndotin ambientin dhe po e përdhosin të vërtetën pa ja nda... Katrahurat e mjerë...
PërgjigjuIdiotesia donkishoteske eshte shpelleruar ne te ashtuquajturen Akademibrir te lartesuar na Gjinua-palloshi i zones pare operative.Ndersa Loqe Leshit qe ka kokrra fasulesh ne koke ,mos ja vini re bubullimen e pordheve se nuk.i ka me ere.