A do votonte pro bashkimit Shqipëri-Kosovë? Vjosa Osmani për BBC: Unë besoj fuqishëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane

17 Mars 2021, 16:19| Përditesimi: 17 Mars 2021, 16:25

  • Share

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për emisionin e BBC-së, “Hard Talk”. Gjatë emisionit, ajo është pyetur se cili është dallimi i saj me politikanët e gjeneratës së vjetër, pse duhet t’i besojë rinia e Kosovës, çfarë mendon për gjykimin e ish-presidentit Thaçi në Hagë, cili është qëndrimi i saj për dialogun me Serbinë dhe nëse do ta përkrahte bashkimin me Shqipërinë.

E pyetur se si dallon ajo nga gjenerata e vjetër e udhëheqësve, Osmani tha se për 20 vjet asnjëherë nuk ka qenë në pozita ekzekutive dhe se nuk ka pasur dorë në vendimet që janë marrë në vend.

“Ka edhe shumë arsye tjera, por është kryesisht për shkak të konsistencës që kemi shfaqur gjatë dy dekadave të fundit, që i ka bindur qytetarët e Kosovës të na japin përkrahjen e jashtëzakonshme që na dhanë”, deklaroi Osmani.

“Pritjet e të rinjve nuk janë përmbushur në shumë aspekte. Siç thashë, një nga problemet kryesore në vendin tonë është krimi dhe korrupsioni, që ne synojmë t’i ndalim përmes veprimeve konkrete në qeverinë e ardhshme, por njëkohësisht besoj se ka qenë rreth shembullit që do të vendoset nga udhëheqësia e këtij vendi, pra ne do të udhëheqim me shembull, siç kemi dëshmuar viteve të kaluara se jemi të pakorruptueshëm, por njëkohësisht duke treguar se absolutisht nuk bëjmë kompromise me ata që korruptohen. Në këtë mënyrë, ne do të sjellim demokraci së pari për institucionet e Kosovës dhe së dyti duke u përqendruar në dy fusha kryesore, që janë shkollimi dhe vendet e punës për rininë duke u bazuar në meritokraci.”

Gazetari i BBC-së i thotë zonjës Osmani se ajo ka qenë për një kohë të gjatë në politikë dhe se ka bërë kompromise gjatë karrierës. Ajo u përgjigj kështu:

“Por unë kam bërë vetëm kompromise që kanë qenë në interesin e vendit dhe në interesin e popullit, asnjëherë të kundërtën dhe populli i Kosovës e di këtë dhe për këtë arsye e vendosën besimin e tyre në mua dhe në z.Kurti në listën tonë të përbashkët. Siç theksova, kurrë nuk kam pasur rol ekzekutiv në vendimmarrje gjatë dy dekadave të kaluara. Kur kam qenë këndej, kam qenë kryesisht në rol këshillëdhënës dhe së dyti, në pesë mandatet që kam fituar radhazi në Kuvend, kam qenë opozitë e veprimeve që nuk ishin në interesin e popullit. Pra, të qenët në politikë nuk nënkupton patjetër që ke pasur rol në vendimet që janë marrë dhe që nuk kanë qenë në interesin e popullit.”

Osmani u pyet nëse e përkrah vendosjen e drejtësisë në Hagë e jo në Kosovë dhe nëse e përkrah gjykimin e Thaçit rreth akuzave serioze për krime. Me këtë rast, ajo tha:

“Drejtësia nuk do të vendoset derisa Serbia ta vendosë drejtësinë për kriminelët serbë që kanë kryer krime, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës dhe kjo është e vërteta që nuk mund ta mohojë askush, sepse ka ndodhur para syve të tërë botës. E tërë bota i pa krimet e kryera nga Serbia. Pra, drejtësia do të vendoset vetëm kur Serbia të pendohet, të kërkojë falje dhe të sigurohet që ata që i kanë kryer ato krime të vendosen para drejtësisë. Më lejoni të përmend se Serbia sot udhëhiqet nga njëri prej ish-ministrave të Millosheviqit dhe fatkeqësisht ata ende mohojnë”, tha Osmani.

“Kosova është duke e bërë të kundërtën. Kosova ka vendosur që përmes amandamentimit kushtetues dhe me shumicë bindëse në kuvendin e saj t’i formojë Dhomat e Specializuara me seli qendrore në Hagë, saktësisht për shkak se ne nuk kemi asgjë për të fshehur, saktësisht për shkak se ne besojmë në drejtësi dhe saktësisht për shkak se duam drejtësi për të gjitha viktimat dhe ne nuk kemi frikë nga e vërteta. Unë nuk jam as gjykatëse, as prokurore dhe nuk mund të përcaktoj se cili do të jetë rezultati përfundimtar i asnjë gjykimi kudo në botë, por ajo që mund të them është se Kosova e ka shfaqur përgjegjësinë e saj të lartë ndaj komunitetit ndërkombëtar, por mbi të gjitha para popullit të vet duke treguar se ne jemi gati të vendosim drejtësi, nëse janë kryer krime”, shtoi ajo.

E pyetur nëse do ta përkrahte burgosjen e Hashim Thaçit për një kohë të gjatë, në rast se ai shpallet fajtor për akuzat e Gjykatës Speciale, Osmani tha: “Për ta kuptuar përgjigjen time, më duhet që së pari të flas për atë që ka ndodhur në Kosovë, të flas për familjet e viktimave. Unë flas në emrin e tyre, në emër të të gjitha familjeve të viktimave dhe për këtë arsye, nuk është vetëm detyrë e imja politike, por edhe detyrë morale që të kërkoj drejtësi.”

“Nëse ne si Republikë e Kosovës e kemi shfaqur gatishmërinë tonë për themelimin e Dhomave të Specializuara. Nëse liderët politikë të Kosovës, të cilët tani janë në Hagë, e kanë shfaqur gatishmërinë e tyre që t’i përgjigjen drejtësisë, pavarësisht gjithçkaje, atëherë natyrisht që ne e kemi jo vetëm të drejtën, por gjithashtu edhe përgjegjësinë, dhe jo vetëm ne si kosovarë, por presim edhe nga pjesa tjetër e botës që të luftojë për drejtësi, të bëjë thirrje për drejtësi, sepse obligimi për të folur për drejtësi për viktimat e gjenocidit është obligim për të gjithë, jo vetëm për ne dhe siç thashë, s’mund të flas hipotetikisht për atë se cili do të jetë vendimi përfundimtar…”, shtoi Osmani.

Pas mungesës së përgjigjes konkrete, gazetari këmbëngul dhe ia përsërit pyetjen, duke ia shtuar edhe një nënpyetje, nëse Osmani do të kërkonte si presidente që Thaçit t’i falej dënimi, nëse ai shpallet fajtor. Në lidhje me këtë, Osmani deklaroi:

“Siç e dini, ligji ndërkombëtar nuk lejon falje për llojet e krimeve për të cilat ju po flisni, por përgjigjja është shumë e thjeshtë. Kuvendi i Kosovës i është përgjigjur kësaj para një kohe të gjatë, në vitet 2014 dhe 2015, kur e njohëm juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Ne nuk thamë se do ta pranojnë një pjesë të saj por tërë atë, sepse ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare, por gjithashtu besojmë në të vërtetën dhe për ne është vetëm një e vërtetë e thjeshtë, sepse ka ndodhur edhe para syve tuaj dhe kjo ka qenë që Serbia ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid dhe ne ishim viktima të atyre krimeve.”

E pyetur se a mendon se është gabim qëndrimi i Albin Kurtit se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është në mesin e prioriteteve kryesore, duke e bërë atë sikur nuk është i interesuar për dialog, Osmani tha: “Ai kurrë nuk ka thënë se nuk është i interesuar për dialog me Serbinë, por populli i Kosovës na ka besuar me një platformë që është e bazuar në vende pune dhe drejtësi dhe këto do të jenë dy prioritetet kryesore për ne të dy dhe për njerëzit që do të punojnë me ne dhe me shumicën që e kemi në Kuvend. Kjo nuk nënkupton në asnjë mënyrë që ne nuk do të përqendrohemi edhe në dialog si një ndër prioritetet. Si presidente e vendit, si udhëheqëse e politikës së jashtme, unë do të sigurohem që në këtë proces ne të mos jemi vetëm të pranishëm, por njëkohësisht ta përfaqësojmë interesin e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Kosova ia ka zgjatur dorën e bashkëpunimit Serbisë, pavarësisht faktit që ata kurrë nuk kanë kërkuar falje për krimet që i kanë kryer.”

Osmani gjithashtu tha se drejtësia është parakusht për paqe, duke i përmendur rreth 1.700 personat që ende janë të zhdukur dhe varrezat masive në Serbi, të cilat tha se duhet të hapen dhe se kosovarët duhet të dinë për vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Gazetari i BBC-së më pas e pyet Osmanin nëse historia e saj personale dhe familjare rreth përballjes me forcat serbe gjatë luftës ia bën të vështirë ta marrë në konsideratë paqen e qëndrueshme me Serbinë. Osmani përgjigjet duke thënë: “Në të vërtetë, kjo vetëm e rrit përgjegjësinë për mua për t’u siguruar që kjo të mos i ndodh më kurrë askujt. Pavarësisht përkatësisë etnike të Kosovës, ata janë të gjithë qytetarë që unë i përfaqësoj. Dua të sigurohem që kontributi që unë e lë prapa dhe trashëgimia që ne lëmë prapa të jetë paqja që zgjat përherë dhe kjo duhet të jetë përmes angazhimit konkret dhe të sinqertë të të gjithëve.”

Osmani u deklarua edhe rreth faktit se pesë shtete të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pasi u pyet se sa e zhgënjyer është për këtë dhe për mungesën e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. “Ka goxha shumë frustrim sa i përket mungesës së liberalizimit të vizave, sepse BE-ja ende nuk e ka përmbushur këtë premtim, pavarësisht faktit që jo vetëm se i kemi plotësuar të gjitha kriteret, por e kemi plotësuar dyfishin e kritereve të cilitdo shtet në rajon, por ne nuk duhet të përfshihemi nga dëshpërimi, por të punojmë fort që t’i bindim ato vende që ende mund të kenë dyshime nëse janë përmbushur kriteret plotësisht, pavarësisht faktit se Komisioni Evropian ka thënë vazhdimisht se e kemi bërë këtë, kështu ka thënë edhe Parlamenti Evropian”, tha ajo.

Osmani u pyet rreth deklaratës së Kurtit se do ta përkrahte me votë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ku deklaroi: “Unë besoj fuqishëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane dhe do të vazhdoj të punoj për këtë. Zotëri Kurti dhe unë u jemi përgjigjur qartazi pyetjeve rreth kontekstit të tanishëm kushtetues të Kosovës.”

Në fund, Osmani u pyet se si do të votonte, nëse në të ardhmen në Kosovë do të mbahej referendum për bashkimin me Shqipërinë. Ajo refuzoi që të përgjigjej drejtpërdrejt, por la të kuptohej se tash për tash e përkrah Kosovën e pavarur dhe nuk dha shenja se do ta përkrahte bashkimin në kontekstin aktual kushtetues.

“Kjo nuk është pyetje që do t’i përgjigjesha, sepse sipas kushtetutës sonë, nuk mund të ketë referendum për këtë temë. Kushtetuta është e qartë dhe unë vërtet besoj në këtë kushtetutë. Nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë – ndonëse dispozitat për ndryshimin e saj janë jashtëzakonisht të vështira, sepse ato i kërkojnë edhe dy të tretat e komuniteteve joshumicë -, vetëm nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë dhe kjo mund të ndodhë – s’jam e sigurt – pas disa dekadave, në atë kontekst politik do të mund të përgjigjesha. Në kontekstin politik të tanishëm, natyrisht, duke besuar në mënyrë fundamentale në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përgjigjja ime është: Kosova është këtu për të qëndruar, Kosova është përgjithmonë”, deklaroi Osmani.

 

Komento

Komente

  • GOLI: 19/03/2021 16:11

    ZIÇKA V.O. DO TE JETE MIRE TE HETOHET NGA SIGURIMI I SHTETIT.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?