Zgjedhjet e 11 majit do t’i gjejnë 3036 votues në qeli. Disa burgje kanë kërkuar në KQZ ngritjen e qendrave të votimit, duke rihapur debatin se kush duhet të lejohet të votojë nga izolimi.
Historikisht, pavarësisht se ku do të votonin po të ishin të lirë, të gjithë të burgosurit kanë votuar për atë qark ku ndodhej burgu i tyre.
Fjala vjen, një votues nga Vlora, që ndodhej në burgun 313 në Tiranë, do të votonte për qarkun Tiranë, edhe pse zyrtarisht është nga një qark tjetër.
Gjithçka ishte pranuar e zhvilluar kështu ndër vite, për votën e të burgosurve lindi debat në vitin 2023, kur socialistët, fituan në bashkinë e Rrogozhinës, duke e përmbysur rezultatin përmes votave të të burgosurve të këtij qyteti.
Kolegji Zgjedhor zbuloi se shumë votues nga burgu, nuk ishin fare banorë të Rrogozhinës, e ditën që do të liroheshin, nuk kishin asnjë lidhje më këtë bashki.
Ndaj kolegji, urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë, si dhe përcaktoi se pavarësisht nëse vendqëndrimi i një votuesi është në burg të caktuar, ai nuk mund të votojë për atë bashki apo qark, në rast se në jetën e tij në liri nuk është banor i asaj njësi zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ja ka dalë në Komisionin Rregullator që ta sanksionojë këtë vendim të gjykatës, çka do të sillte që shumë të burgosur të humbisnin të drejtën e votës më 11 maj, vetëm se janë zhvendosur në qeli jashtë qarkut të tyre të banimit.
Një shembull konkret e dha këtë të martë opozita, e cila kërkoi në KQZ që Erion Veliaj të mos lejohet të votojë në Qarkun Durrës, edhe pse emri i tij figuron tashmë si pjesë e listës së zgjedhësve të atij qytetit.
Franc Nuri, PD: Veliaj të mos votojë në Durrës, Kolegji zgjedhor ka vendosur që në zonën zgjedhore do të votojnë vetëm ata që janë vendbanues jo vendqëndrues.
Elena Xhina, PS: Të miratohet akti rregullator, është procedurë standarde
Celibashi; Nuk e kemi tagrin, por do tua adresojmë organeve kompetente. Na duhet një zgjidhje e qartë për këtë.
Teksa PS e PD nuk gjejnë dakordësi në Komisionin Rregullator, vota e të burgosurve mund të vijojë të shkaktojë sherre.
Report TV ka mësuar se 1357 të tjerë, që janë brenda burgjeve, nuk do të lejohen të votojnë, për shkak të ligjit të dekriminalizimit sepse kanë kryer disa vepra të cilat ta mohojnë të drejtën për të zgjedhur. Një larmi politikanësh VIP do të zgjedhin nga qelitë, ndërsa Ilir Meta po kërkon një mandat në parlament dhe mund të votojë për veten, i kyçur në burgun 313.
Komente
