Kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj ka bërë publike platformën e tij për bashkimin me PD duke patur mbështetjen e 31 deputetëve nga 51 që ka grupi parlamentar, pa Sali Berishën e përjashtuar. Ka arritur të ketë shumicën mbështetëse në grupin parlamentar por jo të mbështetësve në bazë. Por a mund të jetë kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, ai që mund të pajtojë dhe bashkojë Partinë Demokratike?
Duket se që nga takimi më 5 prill me ambasadoren amerikane Yuri Kim, kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Aliebaj ka marrë zemër. Vërtetë ka një mandat si i pazgjedhur dhe i pavotuar, vërtetë është futur në histori si kryetari që drejton partinë në momentin më të keq të saj, vërtetë Gjykata e Shkallës së Parë i ka dhënë të drejtë Komisionit të Rithemelimit, por vetëm të shtunën shprehu publikisht bindjen që mund të jetë ai personi që mund ta bashkojë partinë. Lexoi një për një emrat e 31 deputetëve që e mbështesin platformën e tij për bashkimin e PD-së dhe njëherësh tregoi po publishkisht se nga 52 deputetë që ka grupi parlamentar vetëm 21 janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit nga 31 që janë mbështetës të tij. Sigurisht që në grupin prej 32 deputetëve ka edhe nga ata që nuk janë mbështetës as të zotit Basha e as të zotit Berisha e as të Enkelejd Alibeajt.
Por fakti që janë 10 deputetë më shumë se grupi tjetër është një domethënie shumë e madhe. Por pyetja e madhe në këtë situatë është a mund të arrijë pikërisht Enkelejd Alibeaj ta pajtojë dhe bashkojë Partinë Demokratike? A mund të jetë ai persni që ta kthejën në normalitete këtë parti dhe ta nxjerrë nga një krizë që të paktën deri tani më shumë ka shkuar drejt shpërbërjes se sa drejt një bashkimi? A mund të arrijë ta realizojë këtë ai që deri dje vërtetë ishte një emër i rëndësishëm në parti si nënkryetar dhe kryetar grupi parlametar si mbështetës i Lulzim Bashës dhe pjesë e humbjeve të tij seriale por tashmë po kthehet në një faktor? Të marrim me radhë.
1.Enkelejd Alibeaj ka avantazhin që të paktën deri në një vendim të Gjykatës së Apelit ai mban zyrtarisht detyrën e kryetarit të partisë. Kjo i jep atij shumë akses në parti duke u bërë zyrtari kryesor i pjesës zyrtare të partisë. Çfarëdo të jetë, çfarëdo të ketë dhe sido të funksionojë PD, kontaktet zyrtare, drejtimin zyrtar, komunikimi zyrtar janë nën drejtimin e tij. Firma dhe vula ia japin këtë dhe si i tillë, kjo e avantazhon atë të ndërmarrë nisma, veprime dhe aksione politike që e bëjnë faktin kryesor në këtë parti. Nëse edhe Gjykata e Apelit i jep të drjtë, sigurisht që fuqia e tij politike do rritet ndjeshëm dhe pjesa kundërshtare e partisë, ajo e Komisionit të Rithemelimit nuk do ketë më atë pushtet që pati pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë që i dha të drejtë.
2.Enkelejd Alibeaj ka avantazhin që mbështetet nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht ai amerikan. Takimi i ambasadores Yuri Kim me të më 5 prill në ambjetet e Kryesisë së Kuvendit ishte më shumë se sa një takim rutinë. Ai ishte një mbështetje e hapur që do të thotë se SHBA jo vetëm mbështet Alibeaj por kërcënimi i saj se SHBA do ndërpriste çdo raport me PD nëse në krye të saj do zgjidhej Berisha është mëse real. Ky qendrim ka stepur edhe ata që e mbështesin Berishën dhe dilema se një PD pa SHBA nuk mund të jetë një parti normale është gjithnjë e më e parhapur këto kohë mes demokratëve. Dhe kjo e avantazhon jo pak Alibeajn që e ka mbështetjen e tyre pa asnjë kufizim.
3.Enkelejd Alibeaj ka avantazhin që i përket një brezi relativisht të ri politikanësh dhe të pakonsumuar në pushtet ekzekutiv. A është brezi i politikanëve rreth të 50-tave dhe përfaqëson të djathtën dhe idealet e saj. Si pinjoll i një familje të përndjekurish, Alibeaj në aspektin e përfaqësimit ka edhe energjinë, formimin dhe formatin e një politikani që e ka bërë karrierën gradualisht dhe ka arritur jo pak sukses. Detyra e tij në kohë të shkurtër si ministër i Drejtësisë në qeverinë e Sali Berishës është pjesë e përvojës dhe ai nuk është akuzuar për afera dhe abuzime me pushtetin. Kjo padyshim që i jep atij dimensionin e një politikani të një brezi tjetër që këkron të zëvendësojë brezin e vjetër.
4.Enkelejd Alibeaj ka avantazhin që ka mbështetjen e një grup më të madh deputetësh se sa grupi i deputetëve që mbështet Komisionin e Rithemelimit. Fundja beteja politike bëhet në parlamenat aty ku janë zgjedhur nga vota e popullit të gjithë deputetët dhe derisa aty ai ka mbështetjen më të madhe, kjo i jep atij një avantazh shumë të madhe. Shtoji kësaj edhe faktin që përveç kryetarit të komanduar të partisë është edhe kryetar i grupit parlamentar, kjo padyshim që i jep një plus më shumë. Jo më kot edhe publikimin e platformës së tij ai nuk e bëri nga selia e PD-së që tashmë ai e quan të pushtuar nga Komisioni i Rithemelimit, por në kryesinë e Kuvendit dhe kjo nuk është pak.
5.Enkelejd Alibeaj është një politikan i paanatemuar nga media. Ai kurrë nuk ka qenë pjesë e sulmeve dhe kritikiave të medias përgjatë karrierës së vet. Edhe për shkak të natyrës së vet, ai ka marrëdhënie as të afërta, e as të largëta me komunitetin e gazetarëve. Si i tillë, Alibeaj nuk futet te politikanët që kanë qenë anametuar dhe targetuar nga media dhe kjo i jep avantazh të madh.
6.Enkelejd Alibeaj ka disavantazh të madh faktin që nuk është kryetar i votuar Partisë Demokratike. Duke qenë i komanduar, kundërshtarët e tij në parti dhe jashtë saj e kanë shumë të lehtë ta anatemojnë atë si pa mbështetës. Nuk janë të pakta rastet që disa ia kanë përmendur këtë duke e shoqëruar me faktin që më shumë e njohin si kryetar të grupit se sa si kryetar të partisë që për Komisionin e Rithemelimit ai është i shkarkuar. Realisht në bazë, Alibeaj në rastin më të mirë nuk dihet sa mbështetje ka dhe në rastin më të keq shumë pak janë ata që besojnë te ai. Dhe kjo e bën atë të palidhur me thelbin e Partisë Demokratike.
7.Enkelejd Alibeaj ka disavantazhin e madh se partia zyrtare që ai drejton ka shumë më pak vota se Komisioni i Rithemelimit dhe kjo u tregua në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit ku doli në vend të tretë. Kjo është madje pika më e dobët e tij dhe e partisë zyrtare që Alibeaj ka. Si vota e anëtarësisë dhe vota e zonës gri janë pjesë më e paavantazhuar e tij dhe kjo i jep atij statusin e një kryetari pa vota.
8.Enkelejd Alibeaj ka disavantazh faktin që ishte pjesë e stafit të ngushtë të Lulzim Bashës. Si mbështetës i një kryetari që dështoi në të gjitha garat elektorale në 9 vjet gjatë drejtimit të PD e bëjnë Alibeajn jo më pak fajtor se Basha. Për më tepër që Alibeaj ishte pjesë e stafit të ngushtë të Bashës që dështoi jo vetëm në zgjedhjet e fundit parlamente të 25 prillit 2021 por edhe në një sërë dështimesh që kishte vetë Basha dhe lidershipi që ai drejtoi.
9.Enkelejd Alibeaj ka disavantazhin që vetë deri më sot nuk ka treguar ndonjë aftësi të veçantë si politikan në politikë dhe garat të zhvilluara si përfaqësues i PD. Ka humbur gara si kandidat për kryebashkiak në Fier, ka humbur në gara si ajo kur ka qenë i deleguar në Shkodër dhe ka humbur në gara që ka patur vetë PD ku ai ka qenë nënkryetar. Dhe këto nuk japin besimin se ai mund të fitojë këtë betejë në PD që është më e vështira se të gjitha betejat që ka bërë në karrierën e vet. Kundërshtarët në parti ia përmendin këtë disa herë duke e veçuar si pika më e dobët personale e Enkelejd Alibejat.
10.Enkeld Alibeaj ka disavatanzh që edhe në rastin e paraqitjes së platformës së bashkimit nuk ka ndonjë mbështetje të madhe në media, madje edhe akses në të. Në raport me Komisionin e Rithemelimit që është shumë më i organizuar dhe shumë më i mbështetur nga media, Alibeajt madje i mungon dëshira të komunikojë me median dhe po sillet me të njësoj si Lulzim Basha, i cili do mbahet mend si kryetari i PD me sjelljen më preferenciale dhe selektive në histori. Dalje në intervista pa pyetje që ai bën në një emision dhe në një televizion të cilin edhe Lulzim Basha e preferonte sepse i montonte atë që donte ai, nuk e bën fare të avantazhuar. Kjo i jep mundësi shumë herë më të madhe grupimit tjetër, Komisionit të Rithemelimit, të jenë më prezentë, duke kujtuar se rregulli i artë në politikë është se kanali i komunikimit të një partie me publikun realizohet vetëm nëpërmjet medias. Të paktën deri tani Alibeaj nuk e ka kuptuar këtë.