Edhe në fund të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, Edi Rama u pyet lidhur me akuzat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia. I pyetur: A e keni kërcënuar Arben Ahmetajn siç ai pretendon në një mbledhje Kryesie, Rama thotë: “Partia Socialiste e ka shumë të qartë pozicionin e vet. Ju mund të pyesni sa herë të doni, mund të komentoni sa herë të doni. Është liria dhe e drejta juaj të bëni komente për çdo gjë, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vetë e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, madje e pa shqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste”.
Pyetje: Një koment për akuzën që ju keni qenë strateg i kanabizimit të vendit sepse vjen nga ai që ka qenë bashkëpunëtori juaj më i afërt.
Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë. Kjo vlen për të gjithë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Fatmirësisht kemi sot një ditë të re në rrugëtimin ende të gjatë të drejtësisë në Shqipëri e në këtë ditë të re kemi një pikë referimi që është struktura antikorrupsion e ndërtuar pikërisht për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur dhe ne jemi Partia Socialiste që mision kemi të bëjmë të mundur gjëra që për të tjerët kanë qenë të pamundura apo gjëra që shumëkujt i duken sot e gjithë ditën të pamundura, por hap pas hapi do të shohin të gjithë e do të besojnë të gjithë se koha kur flamuri i partisë, i cilësdo parti, ishte gjethe fiku apo ishte çarçaf për të mbuluar hijet në trup ka vdekur.
Lajmi kryesor:
Rama reagon për herë të parë ndaj akuzave të Ahmetajt: Ndihet viktimë e forcave të errëta! Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhë me të
B.K/ReportTv.al