Kryeministri Edi Rama ka vijuar t’i përgjigjet kritikave lidhur me krijimin e ‘Diellës’ - ministres së parë të Inteligjencës Artificiale në prokurimet publike. Ai u shpreh se një praktikë e tillë do të kthehet shumë shpejt në normalitet dhe shtoi se vetëm ata që kanë vetë ndër mend të vjedhin “kanë hall’ se si do të vjedhë Diella”.
Diskutimi lidhur me parandalimin e korrupsionit apo vjedhjes së zgjedhjeve nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale zhvillohet rëndom sot në botë dhe përgjigjja e këtij diskutimi është kompleks, pa pasur një po apo jo përfundimtare. Dihet se teknologjia dhe sistemet e automatizuara kanë fuqinë të reduktojnë hapësirat për abuzim, duke rritur transparencën e tenderave, duke kufizuar kontaktin direkt mes zyrtarëve dhe biznesit dhe mund të sinjalizojnë e parandalojnë raste të dyshimta në analizimin e të dhënave.
Ka praktika botërore që tregojnë se përdorimin i teknologjisë në këtë drejtim redukton kostot dhe rrit konkurrencën në prokurime.
Pavarësisht kësaj, inteligjenca artificiale është një mjet, jo një aktor i pavarur, sepse, në fund të ditës, edhe përdorimi i saj varet nga njerëzit që do ta programojnë, do ta monitorojnë dhe do të vendosin të dhënat.
Për të luftuar korrupsionin, pikë së pari, ka nevojë për vullnet të fuqishëm politik dhe, nëse një gjë e tillë mungon, i gjithë procesi i teknologjisë mund të kthehet thjesht në një fasadë propagandistike. Dihet që korrupsioni është gangrenë për çdo pushtet dhe për çdo qeverisjeje dhe, sa më gjatë të qëndrosh në të, aq më shumë je i ekspozuar ndaj tij.
Si përfundim, teknologjia mund të ndihmojë në këtë drejtim, por kurrsesi ajo nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik dhe integritetin institucional. Ndaj përtej retorikës dhe nevojës për të bërë lajm, përdorimi i teknologjisë dhe aftësia e saj për të luftuar korrupsionin, duhet parë me realizëm, sepse një algoritëm nuk mund të luftojë dot një gjë të paligjshme. Vetëm një shtet dhe një qeverisje që ka vullnet për ta bërë një betejë të tillë, mund ta fitojë atë luftë./Tema
Komente
