Disa gazetarë deri më sot ia kanë lexuar Sali Berishës nenin e statutit që e detyron të japë dorëheqjen e parevokueshme në rast humbjeje të zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht pretendimeve që ai ka për cilësinë e zgjedhjeve. Është një nen i shkruar nga vetë Sali Berisha kur nisi betejën kundër Lulzim Bashës dhe e ka “pagëzuar” si Neni Basha.
Para zgjedhjeve, së paku dy drejtues të rinj të PD-së, Belind Këlliçi dhe Besart Xhaferi, e përsëritën këtë nëpër studio televizive. Ata premtuan se në rast humbjeje, edhe për Berishën do të zbatohej “Neni Basha”, pra ai do të jepte dorëheqjen.
Tani, përgjigjen e Berishës e dimë të gjithë. Ai pretendon se ka kuptuar që është i dërguar i Zotit në një mision në tokë dhe do të largohet vetëm kur t’i thotë Zoti.
Problemi është se nuk dimë përgjigjen e PD-së. A është gati PD të pranojë se ka në krye një të dërguar të Zotit, apo një kryetar që duhet t’i bindet statutit që ka shkruar vetë tre vjet më parë?
A është gati ndonjë i zgjedhur i PD-së, ndonjë anëtar kryesie apo kushdo tjetër në atë parti, t’ia lexojë Sali Berishës nenin e statutit dhe t’i kërkojë: ose ta shfuqizojnë atë, ose ta zbatojnë?
Nëse e shfuqizojnë dhe pranojnë versionin e ri që Berisha është i dërguar i Zotit, atëherë situata ndryshon, dhe betejën duhet t’ia lënë Zotit. Nëse duhet ta bëjnë vetë, duhet të respektojnë statutin.
Por nëse nuk e shfuqizojnë, por e lënë në fuqi, atëherë duhet të bëjnë protesta, duhet të luftojnë në një betejë të re elektorale, të hyjnë në Kuvend apo në zgjedhjet e radhës, pra duhet të sillen si tokësorë. Duhet të zëvendësojnë kryetarin dhe të besojnë se kryetari i ri do t’i udhëheqë drejt fitores.
Pra, pyetja bazike është: A është gati PD të pranojë Berishën si të dërguar të Zotit apo si të zgjedhur nga statuti? Zgjedhjet treguan se më të votuarit në Republikë ishin ata që nuk janë konformistë me Berishën. Pra, votuesi i PD-së e ka refuzuar me votë Berishën. Tani mbetet të verifikohet kjo punë e Zotit.
Po qe se PD është gati ta pranojë atë si të dërguar të Zotit, pastaj nuk ka pse të ankohen. I di Zoti ato punë. Ç’të jetë shkruar, thjesht duhet duruar.
(P.S. Të gjithë bien dakord që tani Zoti këtu është Edi Rama.)
Komente
