Albin Kurti

A është Vetëvendosja ende e Majtë?!

2 Mars, 21:25| Përditesimi: 2 Mars, 21:28

  • Share

“Vetëvendosja” është formacioni politik në Kosovë, që e mbron dukshëm ideologjinë e saj dhe madje nuk e kamuflon më, pas retorikave boshe. Për shkak të individëve, realisht të përgatitur sa i përket njohjes ideologjike dhe frymës politike që kanë krijuar. Vetëvendosja se ka fshehur asnjëherë qëndrimin e Majtë. Vetë lideri i tyre, Albin Kurti, tashmë është pjesëmarrës në Romë në aktivitetin e radhës të Internacionales Socialiste, ashtu si është shpesh e rregullisht në takimet e tyre.

Për shumë kohë, sensi ideologjik ka mbizotëruar në parashtrimet e individëve të formacionit politik “Vetëvendosje”. Në artikulimet e “Vetëvendosjes”, para se të vinte në pushtet me një masivitet votash realisht mbresëlënëse, kur lihej disi aksioni me gaz lotsjellës nga ideologët e saj artikulohej se: Në 20 vite, Kosova ishte sunduar nga “pakica që ka shumë”, por me ta në fuqi gjërat do të ndryshonin rrënjësisht!!!

Dhe, nga Vetëvendosja e majtë pritej realisht shumë për atë masë votash që iu besua, besohej se duhej t’i konsideronte sindikatat në Kosovë sa i përket të drejtave, të përmirësonte shërbimin shëndetësor, t’u asistonte më shumë shtresave të vuajtura dhe madje të kishte politika ndihëse specifike, që sot lënë shumë për të dëshiruar. Në vend të këtyre, qeveria e Kosovës u ka shpallur “luftë” grevistëve duke i paralajmëruar punonjësit e sektorit publik se shteti nuk do të paguaj paga për ata që dilnin në greva. Cinizmi i Ministrit të Financave Hekuran Murati shkoi deri aty sa të kumtonte se punonjësit që gjendeshin në grevë nuk do të paguheshin. Nuk po e rëndojmë me shembuj të tjerë.

Anipse, Kosova, edhe me këtë politikë,  e ka lënë pas Shqipërinë (98) sa i përket korrupsionit, të paktën për vitin 2023. Transparency International ka evidentuar se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 83-ta nga 180 vende, por raporti thekson se ende nuk ka predispozitë prej ndërhyrjeve në gjyqësor dhe se vendi duhet të punojë ende në luftimin e korrupsionit. Dhe, duket se nepotizmi është i papërballueshëm në Kosovë. “Konkurset shpallen vetëm formalisht, sepse ka raste kur njeriu ia ka nisë punës ende pa u shpallë konkursi. Me aktet ligjore për punësim, duhet bërë seleksionimi profesional i konkurruesve për t’u pranuar në punë. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite po vazhdon punësimi dhe emërimi i njerëzve, jo sipas normave juridike dhe profesionale, por mbi baza të nepotizmit familjar dhe farefisnor. Duke u shpërfillur profesionalizmi ka ardhur në shprehje nepotizmi, natyrisht i ndihmuar edhe nga interesi material”, shkruhet në Ekonomia.info (2024).

Vetëvendosja foli për punësime sipas aftësive dhe kjo e ngazëlleu publikun, ashtu si premtoi spastrime nga elementët nepotikë dhe të paaftë në sistemin e drejtësisë, në organet policore dhe kudo në administratë, apo edhe në jetën e gjerë ekonomike-shoqërore. Por, sot kjo është harruar. Në vend të kësaj, kemi një kryetar të saj si Albin Kurti, që pas retorikës i është shmangur shumë asaj që prisnin të gjithë prej Vetëvendosjes. Tek raporti “Busulla ideologjike e Kosovës,…” jepet një përcaktim më i thukët për argumentin tonë: “Vetëvendosje është e majtë sa i përket ekonomisë, konservative në çështjen e identitetit dhe liberale për liritë personale”. Por, sërish në këtë raport për Kosovën përcaktohet se: “Politikat konkrete publike nuk janë përcaktuese për orientimin e partisë dhe se partitë përbrenda janë po aq të larmishme sa janë edhe kur krahasohen me të tjerat”. Me pak fjalë, Vetëvendosja sa u ngul në pushtet e braktisi të Majtën për pragmatizmin e pushtetit…dhe për këtë duhet vlerësuar se nuk kamuflohet më…nga e Majta. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?