A ka mashtruar Donald Trump në ndeshjen e golfit që zhvilloi në Skoci, gjatë një momenti relaksi në vizitën e tij zyrtare të fokusuar kryesisht te takimi me Ursula Von der Leyen, presidente e Komisionit Europian?
Duke parë një video të shkurtër, e cila u bë menjëherë virale, duket se po. Në pamjet filmike shihet qartë një caddie që lëshon një top në zonën “rough”, një pjesë me bar të lartë, duke e vendosur në një pozicion më të favorshëm për goditjen. Më pas, presidenti amerikan mbërrin me karrocën e golfit dhe i afrohet topit, sikur ai të ishte topi i tij i vërtetë. Videoja përfundon aty, por sipas ekspertëve, dyshimet për mashtrim janë mëse të bazuara.
Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë. Prej vitesh, siç raporton agjencia Agi, gazetarë dhe golfistë profesionistë kanë denoncuar sjelljet e parregullta të Trump në fushë: nga përdorimi i të ashtuquajturës “turbo golf cart”, që i lejon të zhvendosë topin para se të mbërrijnë lojtarët e tjerë, deri te përdorimi sistematik i “Mulligan” – një goditje shtesë që golfisti ia lejon vetes sikur tentativa e parë, e gabuar, të mos kishte ndodhur kurrë.
Rick Reilly, ish-gazetar sportiv, në librin e tij Commander in Cheat thekson se “dhjetëra persona mund ta akuzojnë Trump për mashtrim” dhe se “ai bën gjithçka” vetëm për të fituar.
Komente
