Opozita e bashkuar

A ka më, opozitë të bashkuar?

17 Korrik 2020, 17:31| Përditesimi: 17 Korrik 2020, 17:34

  • Share

Ndër fatkeqësitë e shumta që ka sjellë mosprania e deputetëve të Partisë Demokratike në Parlament, është padyshim edhe fakti se, sot ne nuk kemi  më  një  opozitë, aq më tepër një “opozitë të bashkuar”. Sot  ne nuk  kemi një “aleancë” partish opozitariste, që të flasë, të mblidhet dhe të vendosë mbi problemet dhe temat e ditës, që të ngrihet dhe të kërkojë dhe diskutojë mbi ç’ka propozon mbi procesin dhe Kodin Zgjedhor, apo dhe mbi ndryshimet e tjera kushtetuese.

Gjithçka, ndodh dhe bëhet spontanisht nga vetë Lulzim Basha. E vetmja gjë që bën sot ish-opozita e dikurshme, e cila përfaqësohet  vetëm nga kryetari aktual i PD, (pasi të tjerët janë thjesht individë) është thjesht qasja herë me Ilir Metën, dhe herë me xhaketat e vjetra, për të ngushëlluar vehten nga shpartallimi  dhe miopia politike.

A ka më, opozitë të bashkuar ? Natyrisht që nuk ka, por edhe nuk ka patur, pavarsisht se Lulzimi mbushi  dynjanë me deklarata të firmosura  nga 5-6 emrat e kryetarëve të përjetshëm, që më tepër se interesi politik, tek SHQUP-i, i ka mbledhur  dhe i  mbledh akoma, mendimi se mund të ringjallin pushtetin e dikurshëm. Opozita e bashkuar, sot ekziston vetëm mbi letrat  e  shpërndara  zyrave të PD. Ajo  ka mbaruar së funksionuari, dhe nuk dihet sepse Lulzim Basha  kërkon me ngut “koalicionet parazgjedhore”.

Nuk  ke  pse kërkon  koalicione  zoti Basha, kur partia juaj ka mbetur e vetme mes “oqeanit”, kur partia  juaj ka mbetur pa mbështetje të brëndshme dhe të jashtme, kur partia juaj  herë kërkon “lista të hapura” dhe herë kërcënon me “rrëmuja në shkallë vendi”, kur herë  shkoni  tek Meta, apo ndonjë politikan i huaj  për të qarë hallin, dhe herë  i suleni kreut të  shtetit, duke e quajtur “të korruptuar” dhe  LSI, “parti e korruptuar” etj. A  ka  më opozitë  të bashkuar ? Padyshim që nuk ka, sepse edhe kryetarët e partiçkave  parazite, e kanë kuptuar  tanimë se, qasja pas Lulzimit është humbje kohe.

Ata  duan pushtet, duan leje ndërtimi, duan tendera, duan ndonjë post  drejtori, zv/ministri  apo ministri, duan  ndonjë  para mënjanë, për të mbuluar  shpenzimet, dhe kaq. Kjo mënxyrë, pra  lënia e vendit pa opozitën reale, natyrisht  është vepër madhore e Lulzim Bashës, i cili pasi flaku dhe dhunoi  gjithë elitën dhe njerësit e zgjuar nga partia, shkërrmoqi  edhe aleancat e vjetra, që dikur  Doktori, i ruante  gjithsesi si “fishekë” rezervë për ti përdorur  edhe  si garniturë në takime dhe tryeza të nevojshme, kur prekej  interesi dhe pushteti.

A ka më opozitë të bashkuar, pas futjes në “lojë” edhe të kreut  të shtetit Ilir Meta ? Natyrisht  që nuk ka, edhe pse kryetari  i shtetit mundohet  t’ja heqë  heshturazi Lulzimit, (sepse nuk ka pikën e  besimit tek ai) dhe ti  japë  vehtes  atributin e “shpëtimtarit  dhe liderit të opozitës”. Një opozitë  që luan rreputacionin e vendit të saj,  me shifrat e investimeve, me numrat e personave të infektuar me COVID-19, një opozitë që e ka ulur “le niveau” e diskutimeve deri  tek  mashtruesit  dhe borxhlinjtë  që hiqen si “analistë politikë”, natyrisht  nuk është, dhe nuk  ka për të qenë kurrë as e “bashkuar” dhe  as  e fituar./Tema.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?