Në rastin e zjarrvënies te “Sarajet” në qendër të Tiranës, pati alarm të menjëhershëm nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili me arsye i mëshoi ardhjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe reagimit të punonjësve të bashkisë.
Veliaj, madje edhe hyri në një debat publik të fortë, që edhe u nxit nga mediat në thatësirën e lajmeve, për interesin e disa pronarëve që u interesonte që Sarajaet të mos jenë monument kulture.
Megjithatë mediat pranë opozitës e vijuan këtë debat, duke thënë se pronarët nuk mund të ndërtojnë po s’patën leje. Sipas tyre Veliaj ishte një ndihmës i zjarrit.
Debatit i ndihu edhe Ilir Meta që përmendi kullat, ndërtimet etj.
I gjithë ky debat ishte naiv pasi që në fillim, objekti pra Sarajet nga Bashkia konsiderohet si monument kulture. Pra i papërshtatshëm për ndërtim. Nuk ka ndërtesë tek ai vend. Është një qëndrim i qartë, e ku çdo akuzë sado e ashpër e fortë s’ka logjikë. Megjithatë rasti, do të ketë të tjera zhvillime për analizë.
Çështja është se mjaft emra të mëdhenj në Shqipëri që sot janë në opozitë, si Sali Berisha, Ilir Meta, e mbështetësit e tyre mediatikë flasin për mafia, krim, të organizuar, narkoshtet, e gjëra të tilla.
Gjëra të rënda, pasi Shqipëria është një vend ku krimi i organizuar është një realitet shumë i fortë, një realitet madje invaziv në shtet, shoqëri apo edhe media.
Ky realitet, nga zëra publik deri para disa kohësh nuk pranohesh, ndërsa sot justifikohet. Fatos Lubonja për shembull thotë që meqë ka një Bandë, duhet të ketë tre Banda, pra meqë është Banda e Ramës thotë ai të jetë edhe e Metës dhe e Berishës sepse krijon një baraspeshë. Një tmerr ta mendosh por e thotë, e thotë dhe e përsërit disa herë.
Por mafia në vend nuk lindi sot, ka shumë kohë, madje ka pasur raste kur është arrestuar edhe njeriu më i afërt i kryeprokurorit, është vrarë shoferi i kryeprokurorit, është dënuar kryeprokurori po askush nuk flet, thjesht e politizon çështjen.
Antimafia, si logjikë lindi vonë, kur SHBA e BE mbështetën një Prokurori Speciale siç është SPAK dhe ndihmësja e saj BKH.
Por asnjëherë ky korpus nuk është mbështetur nga “partizanët e antimafias”, asnjëherë. Ata flasin për mafia të Ramës të mazhorancës, por kur një strukturë shtetërore që mbështetët edhe nga partnerët heshtin.
Në fakt dikur, kur mafia është shpërfaqur në formën e saj më të plotë si rasti i katastrofës së Gërdecit ata heshtin, Edhe kur drejtësia e anashkalon këtë rast ata heshtin. Madje nuk e vendosin vare si lajm.
Në Itali, Roberto Saviano, apo Marko Traglio, gazetarë që kanë vite vite që flasin për mafian, konsiderohen si të “ekzagjeruar”, megjithatë ata janë pjesë e rëndësishme e debatit publik. Sepse sjellin dosje, sjellin fakte, sjellin këndvështrime të krimit të organizuar apo lidhjet e tyre me politikën.
Tek ne flitet vetëm kur ka interes politik, por kur realisht ekziston një ngjarje e madhe heshtin. Siç ndodhi me rastin “Gërdeci” në Gjykatën Speciale.
Mafia është e tillë si majtas si djathtas, e duhet denoncuar sidomos kur ka hetime ndaj saj. Por sot ne kemi zëra publik që i shërbejnë asaj./TemA