A ka të drejtë Albin Kurti të kandidojë në zgjedhje? Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese

6 Janar 2021, 16:29| Përditesimi: 6 Janar 2021, 16:33

  • Share

Me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese më 21 dhjetor, një interpretim sugjeronte se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe të tjerët që në tri vitet e fundit janë dënuar për çfarëdo vepre penale, nuk do të mund të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme të cilat priten të mbahen në vend. Megjithatë ka ende shumë ngatërresa sa i përket mundësisë nëse Kurti, do të mund të rikandidojë.

Në Shtator 2018 Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte shpallur fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.  Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim.  Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj, kurse për pengim të personit zyrtar është dënuar me 6 muaj burgim. Ndaj saj, ishte shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Albulena Haxhiu ishte dënuar 1 vit e katër muaj burgim me kusht. Faton Topalli ishte dënuar me 1 vit e 2 muaj me kusht. Ndaj tyre, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepër të re penale brenda 2 vjetësh.

Që nga momenti i përcaktimit të dënimit kanë kaluar dy vjet, që do të thotë se dënimi me burg ka rënë. Por kjo sërish nuk i jep zgjidhje vendimit nëse Kurti dhe kolegët e tij do të mund të rikandidojnë.

Të listuar më poshtë janë të gjitha pikat e kushtetutës të cilat mund të pengojnë rikandimin e Kurtit:

291. Për sa i përket dispozitave kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, që i japin përgjigje çështjeve të ngritura nga kjo kërkesë, Gjykata gjeti se: – Neni 71.1 i Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit; – neni 70.3 (6) i Kushtetutës përcakton se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vite burgim. Ky përcaktim kushtetues përforcohet edhe me nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, nenin 112.1.a të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 25.1.d të Rregullores së Kuvendit;

292. Gjykata konsideron se, për sa i përket të drejtës për kandidim në zgjedhje parlamentare, nenet 45, 55 dhe 71.1 të Kushtetutës duhet lexuar në mënyrë të ndërlidhur. Kështu, neni 45 i Kushtetutës flet përgjithësisht për të drejtat zgjedhore, duke përcaktuar në mënyrë të përgjithësuar se ato mund të kufizohen me vendime gjyqësore, kurse neni 55 përcakton kushtet kumulative në bazë të të cilave mund të kufizohen të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutë. Ndërsa neni 71 i Kushtetutës – i cili flet ekskluzivisht për “kualifikimet” për të kandiduar për deputet të Kuvendit – përcakton se secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë vjeç ose më i madh dhe përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet. Këto “kriteret ligjore”, të cilave iu referohet neni 71 i Kushtetutës, i përcakton Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili në nenin 29.1 (q) thekson qartë dhe shprehimisht se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhje për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit. Ky përcaktim kushtetues dhe ligjor është në linjë edhe me praktikën që ndiqet nga shumë vende demokratike, siç vërehet edhe nga dokumentet përkatëse të Komisionit të Venecias, si dhe nga përgjigjet e vendeve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias;

293. Gjykata thekson se normat e mësipërme kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë të bëjnë me pamundësinë (papërshtatshmërinë) për t’u kandiduar për deputet në zgjedhjet e përgjithshme, si dhe me mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, si pasojë e dënimit me burgim për kryerjen e veprave penale, nuk duhen parë si qëllim në vetvete. Në thelb, këto norma nuk kanë synim parësor ndëshkimin e individëve të caktuar duke ua pamundësuar atyre ushtrimin e funksionit të deputetit, por kanë si qëllim themelor mbrojtjen e integritetit kushtetues dhe besueshmërisë qytetare në organin ligjdhënës, si shtyllë e demokracisë parlamentare;

294. Gjykata konsideron se besueshmëria qytetare në Kuvendin e Republikës së Kosovës cenohet nëse – pavarësisht ndalesave që vë neni 71 i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – lejohet që mandatin e deputetit ta fitojë dhe ta ushtrojë një person që është dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë të vlefshëm në Republikën e Kosovës.

295. Në lidhje me këtë, Gjykata sjellë në vëmendje Raportin e Komisionit të Venecias, i cili thekson se “ligjshmëria është element i Sundimit të Ligjit dhe nënkupton që ligji duhet të respektohet nga individët dhe autoritetet. Ushtrimi i funksionit politik nga personat të cilët kanë shkelur ligjin në mënyrë serioze vendos në rrezik zbatimin e këtij parimit [sundimit të ligjit], që është njëri nga parakushtet e demokracisë, dhe për këtë arsye rrezikon natyrën demokratike të shtetit” (Shih Raportin e Komisionit të Venecias për Përjashtimin e Kryerësve të Veprave të Paligjshme nga Parlamenti, CDL-AD(2015)036, i 23 nëntorit 2018, paragrafi 168).

296. Në këtë frymë, Gjykata vlerëson se është kërkesë e qartë kushtetuese e mishëruar në nenin 71.1 në ndërlidhje me nenin 70.3 (6) të Kushtetutës, se është e papajtueshme me Kushtetutën që një person ta fitojë dhe ta mbajë mandatin e deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë, siç është përcaktuar me këto dispozita. Kjo kërkesë përforcohet me nenet 29 dhe 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë Deputetit.

297. Më tutje, Gjykata thekson se fakti që neni 70.3 (6) i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe neni 112.1 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i referohen dënimit të deputetit (pra dënimit pasi ai ta ketë fituar mandatin), është reflektim i prezumimit se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidojë për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit.

298. Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nën paragrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës.

299. Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se sipas Aktgjykimit AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme, “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që don të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur”.

302. Në lidhje me këtë, Gjykata potencon nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.

303. Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjidhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksionin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?