Shqipëria po planifikon të shkojë vitin tjetër në hapësirë. Me dy satelitë “Albania 1” dhe “Albania 2” kryeministri Edi Rama paralajmëroi së shpejti udhëtimin historik të vendit tonë, në orbitë. Megjithëse, sot jemi vendi më unik në botë: me hekurudha dhe pa trena!
Ndonëse është pritur me mosbesim, humor dhe shaka ky premtim, një objektiv i tillë nuk është as çudi, as edhe aq i pamundur.
Aktualisht në hapësirë ndodhen mbi 4 mijë satelitë. Sipas madhësisë dhe teknologjisë ato kushtojnë nga 10 milion deri në 400 milion dollarë.
Nuk është e thënë që Shqipëria të ketë austronautë, as të prodhojë mjete që do të mund të udhëtojnë në hapësirë. Në fakt, ne si vend nuk prodhojmë as biçikleta dhe shumica e shoferëve që zotërojnë automjete e kanë marrë patentën pa bërë asnjë muaj kurs. Ata zakonisht nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, shkaktojnë shpesh aksidente të evitueshme, duke marrë jetë njerëzish.
‘Shkencëtarët’ tanë nuk janë në gjendje të parashikojnë sot, nëse nesër do të jetë shi apo diell. Edhe meteorologët tanë nuk bëjnë matje në terren. Ata i vjedhin të dhënat nga vendet fqinje.
Edhe një ndër të vetmet kompetente të studimeve hapësinore që kemi, Mimoza Hafizi, e konsideroi fanta-shkencë idenë e kryeministrit.
Por, megjithatë, këtë shërbim mund t’ia afrojë Shqipërisë një shtet tjetër. Për shembull për ngritjen e kompanisë ajrore “Air Albania” nuk ishte e thënë që Shqipëria të prodhonte avionë. Edhe për pilotë, nëse nuk kishim, mund të pajtonte të huaj. Po ashtu, edhe çdo shërbim për teknologji dhe arritje të tjera shkencore që nuk i kemi, mund t’ia siguronte një vend tjetër.
Siç u tha qëllimi i dy satelitëve është për një kontroll sa më të mirë të territorit shqiptar. Përdorimi i mjeteve hapësinore, siç theksoi Rama, do të jetë për çështje që ka të bëjë me punët civile të vendit dhe mbi luftën kundër krimit të organizuar, apo për kontrollin e lëndëve narkotike.
A do të munden satelitët të ndihmojnë Shqipërinë, në këtë drejtim?
Ndoshta do të ishte më e nevojshme që të investohej në drejtime të tjera me qëllim pajisjen e vendit me mjetet e duhura, për të përballuar siç duhet fatkeqësitë natyrore, në raste tërmeti, përmbytjesh, zjarresh etj.
Gjatë zjarreve që u ndezën gjatë verës së fundit, Shqipërisë i mungonte qoftë edhe një helikopter për të shuar flakët.
Sateliti mund t’i identifikojë hapësirat e djegura, por nuk mund të ndihmojë për shuarjen e tyre.
Sa shanse ka për të identifikuar kriminelët dhe trafikantët, me qëllim për t’i parandaluar ata?
Do të ishte fantastike nëse satelitët do të identifikonin korrupsionin, së pari në sistemin e drejtësisë, për parandalimin e këtij fenomeni kaq të përhapur në vendin tonë.
Me aq sa është thënë, disa nga investimet e mëdha në infrastrukturë siç është Rruga e Arbrit kanë mbetur pa përfunduar në kohë, për shkak të mungesës së financimeve, ndërsa Shqipëria zyrtarisht po përgatitet që të kërkojë së shpejti edhe 700 milion euro borxh në tregjet e huaja.
Prandaj edhe nëse realizohet fluturimi në hapësirë, ai mund të jetë thjesht një aksident. Kujtojmë se vendeve të zhvilluara iu dështojnë shumë misione hapësinore, mirëpo ato kanë burime të mjaftueshme financiare për të testuar aftësitë e tyre shkencore.
Përtej ëndrrës së ndonjë fluturimi në hapësirë, aktualisht sfidë për vendin tonë mbetet përballimi me sukses i krizës energjitike ose i ndonjë fatkeqësie natyrore të stinës së dimrit, siç mund të jenë përmbytjet.