Shëndeti

A mund të kontribuojë koncepti i reduktimit të dëmit në uljen e numrit të duhanpirësve?

8 Prill 2021, 12:42| Përditesimi: 8 Prill 2021, 12:46

  • Share

"Ne kemi nevojë për legjislacione të reja që ta bëjnë të qartë dallimin mes produkteve që e djegin duhanin dhe produkteve pa djegie. Organizata Botërore e Shëndetit mundet, përmes konceptit të reduktimit të dëmit, t'u japë duhanpirësve mundësinë për ta lënë duhanin".

Ishte ky përfundimi që nxori paneli i konferencës online “FCTC COP9: Çfarë duhet bërë për konceptin e reduktimit të dëmit”, në pritje të konferencës së nëntë të Organizatës Botërore të Shëndetit për kontrollin e duhanit (COP 9).

 Në këtë event u diskutua për masat që mund të ndërmerren për ta përhapur konceptin e reduktimit të dëmit të duhanit në të gjithë botën. 

“Jam i bindur se në njëfarë mënyre, ekziston një luftë kundër nikotinës, e cila e ka burimin në institucione të ndryshme”, u shpreh Harry Shapiro, një prej autorëve më të njohur britanikë sa i takon temës së konceptit global të reduktimit të dëmit. Ai shtoi se Organizata Botërore e Shëndetit është në dijeni të rëndësisë që ka koncepti i reduktimit të dëmit kur vjen fjala për disa lloje të tjera të varësisë apo për të parandaluar përhapjen e HIV por, siç thotë, “duket se ky koncept për ta nuk ka rëndësi kur vjen fjala për kontrollin e duhanit.”

“Gjëja më e rëndësishme sa i takon konceptit të reduktimit të dëmit, kur flitet për tymin e cigares, është mundësia që ky koncept ofron, një mundësi që mund t’i ndihmojë duhanpirësit ta lënë duhanin”, thotë Shapiro duke shtuar se është e domosdoshme mbështetja në luftën për të mbrojtur shëndetin publik, nga teknologjia, konsumatorët dhe sektori publik.

Shapiro thekson se të gjitha alternativat pa tym e kanë tjetërsuar industrinë, ashtu sikundër produktet e nikotinës që nuk e djegin duhanin” i kanë dhënë mundësinë OBSH-së të largohet nga politikat e mëparshme, të cilat nuk funksiononuan.”

"Unë mendoj se kemi nevojë për legjislacion, i cili në mënyrë të qartë i ndan produktet me djegie nga produktet që nuk e djegin duhanin," përfundoi Shapiro, duke theksuar se ligjet ekzistuese nuk kanë më kuptim.

Peter Beckett, konsulent dhe ekspert i legjislacioneve të Bashkimit Evropian, kujtoi se të gjitha vendet evropiane kanë nënshkruar Konventën Themelore për Kontrollin e Duhanit (FCTC), e cila synon të vendosë standarde në këtë fushë.

"Kontrolli i duhanit përfshin gjithashtu strategji për reduktimin e dëmit, pra strategjia duhet të përdoret për të reduktuar ekspozimin e dëmshëm ndaj tymit të duhanit," tha Beckett.

Në vitin 2005, Organizata Botërore e Shëndetësisë zhvilloi Konventën Themelore për Kontrollin e Duhanit me synimin për të dhënë udhëzime për legjislacionet lokale, në lidhje me përdorimin e duhanit. Që atëherë, përfaqësuesit takohen çdo dy vjet për të diskutuar mënyra sesi Konventa, apo zbatimi i saj, mund të përmirësohet. Ky takim quhet Konferenca e Palëve në Konventën Themelore për Kontrollin e Duhanit dhe pritet të mbahet për herë të nëntë në nëntor 2021.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?