'Tirana nuk e meritonte këtë rezultat'. Kështu shprehet Tefik Osmani, ish-futbollisti i Tiranës deri dy muaj më parë, në një intervistë për 'Report TV' menjëherë pas ndeshjes me Crvena Zvezdën ku ekipi bardheblu u eliminua nga Champions League. Osmani, që vetëm pak ditë më parë njoftoi varjen e këpucëve në gozhdë në moshën 34-vjeçare, deklaron se nuk është e lehtë që në vitin e parë që merr pjesë në Europa të arrish rezultate të shkëlqyera.
Ai në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e Skënderbeut, skuadrës shqiptare që beri historinë në Europë. I pyetur nëse Tirana i ka këto mundësi ai thotë se ekipi i drejtuar nga Egbo mund të çudisë.
"Tirana ishte shumë mirë, kjo u pa edhe në stadium edhe nëpërmjet ekranit. Mendoj që nuk meritonte këtë rezultat,"-shprehet fillimisht Osmani.
Po të ishte Tefiku në fushë, mendoni se do t'i jepte më shumë zemër në fushë?
"Nuk ka lidhje Tefiku në fushë. Mendoj se ata që luajtën kanë dhënë maksimumin dhe u them një bravo të madhe. Tirana si në kampionat, tani edhe në Europa League duhet t'i marrë një nga një. Pse jo mos të besojmë për kualifikime të mëtejshme."
T'i ke qenë edhe pjesë e Skënderbeut, skuadrë së parë që arriti të futej në Europa League. Mendoni se i ka Tirana ato kualitete për t'u kualifikuar?
"Nuk është e lehtë që në vitin e parë që të marrësh pjesë në Champions League dhe të arrish objektivin. Të futesh në grupet e Champions apo Europa League. Por me lojën që kemi zhvilluar kam shumë besim që ky grup lojtarësh të bëjë çudi."