A njihni ndokënd që di të kënaqet?

12 Qershor 2018, 10:53| Përditesimi: 12 Qershor 2018, 10:59

  • Share

A njihni ndonjë njeri që di të kënaqet? Me një shi të freskët vere, me shëndetin e fëmijëve a të prindërve, me një fotografi të dikurshme të “zhdukur” prej kohësh, me një kafe të mirë, me një telefonatë a letër, me një urim ditëlindjeje, me një trëndafil erëmirë, me një tingull violine, me një lëndinë me bar, me një bisedë, me një xhiro me biçikletë, me një buzëqeshje fëmije, me uratën e një të moshuari, me një akullore, me arritjen e një miku, me një xixëllonjë a një kumbull të thartë?

Me saktë, a njihni një njeri që di të kënaqet vetëm me këto? Që mjaftohet? Që thotë: Faleminderit Zot a jetë për këto që kam, nuk mund të dua më tepër për sot. Një njeri që gjen kënaqësi tek gjithçka që ka dhe s’ka?

Nëse e njihni, bëjeni të flasë sa më shpesh. Lexojani shkëlqimin në sy kur flet për përditshmërinë si diçka të përditshme, por që është çdo ditë ndryshe ama. Sepse një ditë krejt papritur mund të mos jetë. Dëgjojeni me vëmendje dhe besojeni. Sapo ta ndjeni, ndajeni edhe më të tjerë…E dini si përhapet energjia pozitive? Fluturimthi.

Mos dëgjoni ata që nuk e vënë re se kanë ditë për ditë sy për të parë, këmbë për të ecur, veshë për të dëgjuar e jetë për të jetuar. Mos u “infektoni” nga stresuesit që i çmend trafiku, të cilin s’e kanë aspak në dorë, shefi kokëçarës, lavatriçja që s’punon, paratë që u mungojnë, fustani që u bë me njollë, viza që nuk po u del apo celulari që u fik.

E çfarë se ka trafik? Unë jam mirë, po dëgjoj muzikën që dua, s’po më lëkund një tërmet, nuk po më bien flokët nga kimioterapia, nuk jam rrëzuar në shkallët e një pallati dhe bastuni nuk po zbret zhurmshëm nëpër kate. Do të zbres pak me vonesë fundja dhe do të vrapoj. Duke vrapuar do të harroj të mendoj. Do të arrij në destinacion dhe një buzëqeshje nga ato që përmenda në fillim do më kënaqë dhe u harrua.

Po mirë, trafikut ia dole, po shefit si t’ia bësh? Ai është më i kollajti. E lë atje në punë. Thjesht kalon pragun dhe je njeri i lirë, ti mund të ikësh kur të duash nga ai, por ai nga vetja e tij nuk ikën dot. A nuk është kënaqësi të dish që nuk je si ai?

Lavatriçja nuk punon? E ke provuar si bëhen rrudhat në gishta kur lan rroba me dorë? Provoje. Ndjen sikur u plake menjëherë. I mbaron shpejt e shpejt dhe del e shijon rininë, këput një trëndafil erëmirë, e nuhat bashkë me aromën e detergjentit në duar dhe të qeshet.

Paratë? Asnjëherë nuk do mjaftojnë. Përherë do të kesh më shumë gjëra për të bërë, se sa ato që bën. Përherë do të ketë një fustan, parfum, celular, makinë, destinacion e gjithçka tjetër më të lakmueshme se ajo që ke. Përherë ke për të dashur shumë e më shumë, e për t’u kënaqur pak e më pak.

Viza nuk del? Epo shumë mirë. A nuk beson ti se je i ndershëm? I duhesh këtij vendi. Nuk do që ti të ikësh. Po të tërheq për mënge, qëndro dhe bëje më të mirë.

Fustani me njollë? Qëndisi një lule.

T’u fik celulari, lum si ti. Ndiz ëndrrat e këmbët dhe vrapo kudo ku nuk të çojnë dot parajsat virtuale të miqve dhe jomiqve. 27.al

Komento

Komente

  • ulisse: 28/07/2018 16:26

    artikull qe lexohet me nje fryme. Shume domethenes.

    Përgjigju
  • tori: 13/06/2018 09:33

    Ia vlen ta lexosh.

    Përgjigju
  • Aks: 12/06/2018 12:21

    Ky artikull vlen per shtetet e zhvilluara perendimore, ku ekzistojne sindikatat dhe shendetesia falas. Per Shqiperine fatkeqesisht vlen shume pak.

    Përgjigju
    • flori: 12/06/2018 13:23

      Vlen dhe per ty qe jeton ne kete vend, eshte gjithperfshires por je i verber per ta pare.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?