A nuk u ngopëm duke shitur nënën për klikime?!

23 Gusht 2018, 08:56| Përditesimi: 23 Gusht 2018, 09:12

  • Share

Kur në Instagram ju vjen një foto nga një i panjohur, fotoja është gjithmonë flu dhe lexon: ky postim mund të ketë përmbajtje sensitive dhe mund të jetë shqetësuese për ju.

Pra, Instagrami në politikat e tij ka marrë parasysh mbrojtjen (sa mundet) nga përballja me pamje të pakëndshme dhe shqetësuese. Facebooku dhe Instagrami bllokojnë disa formate videosh e fotosh me përmbajtje të caktuar. Mbetet shumë për t’u bërë, por disa rregulla ekzistojnë.

Ndërkaq, mediat kudo në botë sot janë pjesë e një debati të madh për atë që duhet postuar e transmetuar. Disa vende kanë bërë edhe moratoriume, si Austria, para disa kohësh, ku vendosi një moratorium për fotot/pamjet që përdoreshin nga gazetarët në raportim të krimeve dhe aksidenteve. Ishte një nismë që tentonte të ruante njeriun dhe të drejtën e tij edhe kur ishte pa ndjenja, i plagosur, i pajetë – në respekt të dinjitetit dhe privatësisë. Ishin një sërë rregullash që parashihnin edhe pyetje pa vend që jemi mësuar t’i dëgjojmë shpesh në Shqipëri, p.sh.: vdes një i afërm dhe gazetari io bën pyetjen “njëmilionëshe”: si u ndjeve?

Është një pyetje e tmerrshme! Është një pyetje që do vrarë!

Sot, një portal (emrin e të cilit nuk po e përmend, se si ai ka pa fund dhe nuk është ky qëllimi, tek emri, por tek fenonemi) postoi foton e një një djali të ri, të shpërfytyruar, me titullin: Po shpëtonte qenin dhe përplaset me trenin. Shikoni gjendjen e të riut në spital!

Tani, sa për parantezë, duhet të sqarojmë dallimin mes fotove që vijnë nga gazetarët e luftës, si dëshmi e masakrave dhe alarmit për të ndalur të keqen, për të ndërgjegjësuar botën dhe fotove të një aksidenti. Në Siri vdesin çdo ditë fëmijë, të rinj e të reja, të moshuar, ushtarë, civilë, të kqëinj e të mirë bashkë dhe jetohet duke kaluar rrugën me shpresën se një minë a bombë nuk  do shpërthejë a një plumb s’do t’u përshkojë kraharorin.

Në këtë pikë gazetaria duhet të shkelë një rregull etik për një të mirë të madhe! Nuk do ta harroj kurrë intervistën madhështore të  Barbara Walters me Bashar Al Assad-in. Kur ai fliste sikur asgjë s’kish ndodhur, Walters i tregoi fotot e fëmijëve të masakruar mu në sy, pa iu dridhur dora 80-vjeçare. Po, sigurisht kjo është gazetari edhe guxim, sepse i shërben një qëllimi të madh; çjerrjes së maskës së një vrasësi!

Tani kthehemi tek lufta jonë, jo për paqe po për klikime. Tek fotoja e portalit të sotëm, që ftonte lexuesit të shihnin fotot nga spitali të djalit që i iku qeni dhe vetë e përplasi treni. A thua se i riu është një ekspozitë plagësh dhe me siguri diçka duhet të dijë portalisti që ato foto shihen, pra klikohen. Ky, a thua vallë të jetë mision gazetarie?!

Dua t’i ftoj kolegët që ta ndalim këtë degradim dhe shkelje të plotë të dinjitetit të tjetrit vetëm për klikime, ose të paktën të paralajmërojmë se fotot, pamjet apo lajmi janë me përmbajtje sensitive, jo të shpallin ekspozitën e fotova pa teklif.

Nuk e quaj iniciativë e Tiranapost.al, kjo as që më intereson. Të bëhemi bashkë që foton e djalit të shpërfytyruar në spital e qindra të tilla të kësaj natyre, të mos i trajtojmë si ekspozitë. Djali i fotos është sot një viktimë, që ka nevojë veç për ndihmë mjekësore, për familjen e tij dhe një doktor.  Nëse doktori nuk e sheh, nëse mungon ilaçi, ky po është lajm. Por të themi shiheni si është katandisur ky i ri?!

Do doja që të bëhemi të gjithë bashkë! Ta përdorim gazetarinë për të informuar, për të çjerrë maska, për të ndihmuar drejtesinë, politikën të shihet në pasqyrën tonë dhe jo ta lëmë të qetë në narcizmin e saj para lumit. Edhe reklamuesit janë një fuqi e madhe, me përjashtim të Vodafone, që vlen të thuhet se ka disa kohë që operon në treg me rregulla të forta.

Kemi në redaksi një listë të gjatë me fjalë e foto që nuk lejohen të shoqërohen përkarshi me reklamën e Vodafone.  Edhe kompanitë e mëdha të biznesit, sa mirë do ishte sikur të përzgjidhnin mediat mbi bazë etike dhe jo klikimesh (sepse besojeni, klikime merr sot pa fund e ndyra, e keqja, morbozja). Situata është kritike dhe para çdo ligji duhet të veprojë një kontratë morale mes nesh, pa i dhënë askujt medaljen e iniciatorit; thjesht ta bëjmë! Ndoshta do t’ia dalim! Për momentin nga portalet dhe mediat Shqipëria është qesharake dhe tragjike.

Një përzierje e së bukurës, ushqimeve, intrigave dhe sidomos atyre fotove me gjak, fluturimit si zogj nga zyra prokurorësh të rrëfimeve personale, që sigurisht janë “njish” për klikime, por shenjë e një tumori social, që nëse nuk do e ndalojmë me ndërgjegje do bëhet edhe më keq. Ngaqë nuk kemi ne këllqe të pyesim e demaskojmë, kjo s’do të thotë që do mbijetojmë me gjakun e viktimave. Situata është kritike, jo vetëm tek ne por kudo, veçse këtu ende s’ke ku drejtohesh.

Po ta vini re, drejtësia funksionon vetëm në lirim. Nuk ia ka ngenë askush të ndëshkojë dikë për etikë e privatësi, se drejtësia funksionon shumë mirë vetëm në lirim, ende larg për ndëshkim, por të paktën të bëhemi bashkë ne për kaq sa kemi në dorë. Mbase… ku i dihet!(Tiranapost.al)

Komento

Komente

  • Aksion: 23/08/2018 14:16

    Me nje klik te thjeshte hap portalin e Mires dhe lexon titujt "Perplasen trenat ne filan vend. Ka viktima." - opa do klikosh se do te dish sa, si, cfare viktimash! Tjeter: "Alarmi i fruthit ne Shqiperi? Ja cfare thote ISHP"... opa doe e hapesh se ke femije, do te dish si eshte puna fruthit... E te tjera si keto. Tani Mira per klikime e ka hapur portalin, s'e ka hapur per sehir. Plus qe ne kete artikullin qortues e paska vene dhe foton e shperfytyruar te djalit te portali i saj. Me cfare parimi do beje hajer ne kete luften portaleske, me parimin "bej si them une, por mos bej si bej une?" Thonte nje i mocem te lagjen time "keta jane per hu te gjithe!"

    Përgjigju
  • Kzkznsjsb: 23/08/2018 09:26

    Sa hipokrizi. Ketu vete titulli eshte formuluar qe te terheqe klikime. Pzzzz

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?