Dhuna sociale dhe presioni i botës së spektaklit kanë qenë temat e diskutuara ditën e sotme në Report Tv në emisionin ‘Sot live në Shqipëri’.
Të ftuarit, Nora Malaj ish-deputete, psikologia Suela Koçibelli dhe artisti Robert Aliaj kanë folur lidhur me modelet që shoqëria shqiptare mbështet dhe ndjek në aktualitetin e sotëm.
Sipas psikologes Koçibelli, shoqëria për sa kohë nuk reagon kur në ekrane vazhdimisht ka opinione për të shmangur modelin e të fortëve, sipas saj, shoqëria konfirmon që i dëshiron ata.
Koçibelli: E dini pse nuk reagon shoqëria? Sepse ka shumë varfëri. Një shoqëri që s’ka ngopur barkun, e ka të vështirë të reagojë. Kemi një pjesë të mirë të shoqërisë ne. Për sa kohë ky roli i të fortit ne po mundohemi ta ndëshkojmë me këtë bisedën këtu dhe nuk ndëshkohet asnjëherë, atëherë është funksion, është rol dhe model që qëndron.
Nga ana tjetër, Aliaj është shprehur se, sipas tij, jetojmë në botën e spektaklit dhe që në emisionet e sotme punohet që konflikti të jetë si një koreografi.
Aliaj: Kjo është shumë e thjeshtë sepse në përgjithësi emigracioni krijon komunitete të izoluara. Gheto që krijohen nga shoqëria e prapambetur nga një mënyrë e pavetëdijshme. Këta njerëz që janë bisha, këta janë ata që ruajnë kulturën. Edhe pse është e hapur dera këtu, ne i mbyllim vetë dyert e hapjes. Është kufiri mendor që vendoset. E gjitha është spektakël. I shikojnë konfliktet si koreografi.
Profesoresha Nora Malaj, ish-deputete, është shprehur se modelin e sotëm të dhunës sociale, siç e quajti ajo, ka ndikuar shumë edhe performanca në Kuvendin e Shqipërisë.
Malaj: Raportet janë prishur që në familje dhe në raportet sociale, dhe Kuvendi ka ndikim në Shqipëri. Edhe në përballje politike dhe artistike dhe në analiza të ndryshme, njerëzit po punojnë me inteligjencën emocionale. Në kuadër të krizës së identitetit, në këtë realitet nuk kemi të bëjmë me çfarë kumtohet, por me energji negativiste. Është ngritur edhe më shumë kapaciteti i dhunimit social.
Komente
