A po shkojnë votat e demokratëve për një parti të majtë? Berisha nga Dibra: Kandidatët tanë nga Tropoja në Konispol janë të 'lirisë'

1 Prill 2023, 12:50| Përditesimi: 1 Prill 2023, 14:49

  • Share

Pas marrëveshjes Berisha-Meta, mbështetësit e Enkelejd Alibeajt kanë hedhur akuza se kandidatët e primareve po futen në garën e 14 majit me logon e një Partie të majtë. Nga Dibra, Sali Berisha i ka dhënë një përgjigje duke thënë se kandidatët e dalë nga primaret nga Tropoja në Konispol janë të produkt i lirisë se janë zgjedhur nga demokratët.

Teksa prezantonte Ismail Ukën si kandidatin për bashkinë e Peshkopisë, Berisha premtoi se kandidatët janë 2 herë më të përgjegjshëm dhe do të punojnë për modelin e ri që pretendon se ka nevojë Shqipëria.

“Pati një rezistencë ndaj primareve. Në zona të caktuara më kërkonin me çdo kusht që të hiqnim dorë prej tyre. Por kurrë nuk u tërhoqa për të qenë besnik ndaj jush. Sot ne, nga Tropoja deri në Konispol, të gjithë kandidatët tanë janë kandidatë të lirisë, kandidatë të anëtarëve, mbështetësve të PD-së.

Kjo e bën Ismailin, e bën Defrimin, e bën Skënderin, Bedriun, të gjithë kandidatët tanë kudo që janë, dy herë më të përgjegjshëm para jush. Ju garantoj ju se ata do jenë shërbëtorët tuaj, se ata do punojnë së bashku me ju për një model të ri, për një ndryshim të madh që ka nevojë jetike Dibra, që ka nevojë jetike Shqipëria.

Se ata do përdorin me transparencë të plotë çdo qindarkë të taksave tuaja, të gjitha burimet që mund të sigurojnë për t’i kthyer në mbështetje të jetesës aty ku jeni”, tha Berisha.

Berisha nuk kurseu edhe sulmin për ndërtimin e HEC-it të Skavicës që e cilësoi një aferë korruptive.

Ora 12:24
Berisha për Skavicën: Aferë korruptive, të ndëshkohet me votë

Ish kryeministri Sali Berisha e ka quajtur aferë korruptive projektin për Skavicën në Dibër. Në fjalën e tij u shpreh se nuk mund të varroset Dibra dhe i bëri thirrje qeverisë britanike që të mos lejojë kompanitë për të blerë aksione.

“Janë vërsulur të mbysin Dibrën. Skavica është varri i Dibrës. A do pranojmë ne të bëhemi mortorë në varrimin e saj? Të largosh 20 mijë banorë, çfarë mbetet në Dibër? E gjitha vepër korrupsioni, e gjitha vepër hajnie. Projekt i Enver Hoxhës. Por diktatori e kishte mbyllur nga të katër anët Shqipërinë dhe bëri digat. Dibrën vendosi ta çoj në Hoxharë. Megjithatë nuk guxoi. Përmbysi fshatra të mrekullueshëm, por ajo që përmbyste më shumë ishte Skavica. U ndal.

Një vend i lirë, që ka mundësi me erë dhe diell, të shkojë dhe të përmbysë 32 fshatra, të përmbysë një krahinë, duhet të jesh pa asnjë ndjenjë njerëzore ose nuk duhet të jesh normal nga kapacitetet mendore të marrësh një vendim të tillë.

Afera e Skavicës është një aferë korruptive. I kërkoj kompanisë Bechtel sepse është kontratë pa garë dhe këto kontrata pa garë janë korruptive. Tani po shet aksionet, i bëj thirrje qeverisë britanikë të mos lejojë kompanitë britanike të blejnë aksione. Sepse Dibra nuk mund të varroset. Dibra do ecë në shekuj dhe mijëvjeçarë e lirë!” – tha Berisha.

Komento

Komente

  • sonila: 01/04/2023 14:06

    Nje tufe budollenesh qe mbeshtesin nje mashtrues.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?