Kabineti i qeverisë federale ka rënë dakord për një kompromis në mosmarrëveshjen për përfshirjen kineze në një terminal kontejnerësh në portin e Hamburgut. Kjo është bërë e ditur nga qarqet qeveritare në Berlin. Konkretisht, bëhet fjalë për një të ashtuquajtur ndalim të pjesshëm: Pjesëmarrja e grupit kinez Cosco në terminalin e kontejnerëve mund të jetë vetëm 24.9 për qind, e jo 35 për qind sa ishte planifikuar më parë.
Habeck donte të ndalonte plotësisht hyrjen në Cosco
Kompromisi është i diskutueshëm në koalicion. Nën përshtypjen e përvojave të fundit me Rusinë dhe varësinë nga furnizimet me gaz rus, shpërtheu një mosmarrëveshje politike mbi çështjen nëse duhet lejuar pjesëmarrja kineze.
Ministri i Ekonomisë Robert Habeck paralajmëroi për varësi të reja. Ministria e Çështjeve Ekonomike kishte shqyrtuar një marrëveshje të lidhur në shtator 2021 midis kompanisë së logjistikës së portit të Hamburgut HHLA dhe operatorit të terminalit kinez Cosco Shipping Ports Limited për pjesëmarrjen e kompanisë kineze me aksione në vlerë prej 35 për qind në terminalin HHLA në Tollerort. Habeck donte të ndalonte plotësisht hyrjen kineze.
Këtë e donin edhe disa ministri të tjera. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave, Kancelaria kërkoi që hyrja e kompanisë kineze të lejohet. Nëse kabineti nuk do të kishte vendosur këtë javë, shitja do të ishte miratuar automatikisht siç ishte rënë dakord fillimisht midis Cosco dhe HHLA.
Sipas qarqeve qeveritare, ndalimi i pjesshëm synon të parandalojë influencimin nga pala kineze të vendimeve strategjike dhe ta reduktojë atë në një pjesëmarrje thjesht financiare. Ndër të tjera, Cosko duhet të parandalohet të ketë të drejtën e vetos në nënshkrimin e kontratave të biznesit ose në punësimin e personelit.
Scholz udhëton në Kinë
Kancelari Olaf Scholz do të udhëtojë në Kinë në fillim të nëntorit. Ai tha se porti nuk po shitet. Cosco Group në pronësi të shtetit kinez, është kompania e katërt më e madhe në botë e transportit të kontejnerëve. Anijet e Cosko janë futur në terminalin Tollerort për më shumë se 40 vjet.
Në këmbim të aksioneve, Cosco dëshiron ta bëjë terminalin një pikë të preferuar të transportit në Evropë. Aksionet e kompanive të transportit në terminale janë të zakonshme në logjistikën globale të kontejnerëve. Cosco ka aksione në tetë terminale vetëm në Evropë./DW