KQZ miratoi më 18 Mars fletën e votimit për zgjedhjet e 11 Majit, e cila do të jetë 60 cm e gjerë, dhe 30 cm e gjatë. Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri", ish kryetari i KQZ Kristaq Kume tha se fleta e votimit s'duhet të ishte kaq e madhe pasi, përveç kostos së shtuar, sjell probleme edhe për zgjedhësit.
Sipas tij, problematike mund të jetë në qarkun e Tiranës ku fleta e votimit është më e mbingarkuar.
“Nuk ka pse të veprohej në këtë mënyrë dhe të kishim një fletë votimi kaq të madhe, e cila në Tiranë do të jetë e vështirë për t'u administruar nga zgjedhësit, veçanërisht për moshën e madhe, se është e mbingarkuar me emra. Zgjidhja mund të ishte ajo që u përdor në Kosovë ku në vend të emrave, në fletë rreshtohen vetëm subjektet zgjedhore dhe në krahun e djathtë, shënohen numrat përkatës, ku dihen për çdo subjekt se kush është emri i kandidatit. Kanë këmbëngulur partitë politike. Për mua është një qëndrim nazeli i politikanëve tanë.”, u shpreh Kume.
Megjithatë, Kume shtoi se problematika të tilla nuk ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
"Vota është e vlefshme nëse voton për subjektin dhe një kandidat po të njëjtit subjekt. Vota është e pavlefshme kur vendos shenja në dy kolona të ndryshme. Mundësia që të vendosesh shenja në dy kolona të ndryshme është e vogël. Më e rrezikuar është fleta e votimit në Tiranë sepse është e madhe. Emrat janë shumë afër njëra-tjetrës dhe mund të humbasë vota. Nuk do të shkaktojë problem të madh në integritetin e procesit zgjedhor në kuptimin që të ndikojnë këto gabime në rezultatin e zgjedhjeve.", shtoi Kume.
Sipas Kumes, nëse hapja e listave do të bëhej 100 për qind, partitë politike do të bënin më shumë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve.
"Hapja 100 për qind e listës do të detyronte subjektet që të bënin kujdes të shtuar për cilësinë e kandidatëve. Nëse do të ishte lista e hapur, domethënë se partia politike duhet t’i kishte kandidatët njësoj të vlefshëm, dhe jo njëri më shumë sesa tjetri.", shtoi ai.
Komente
