A u dekonspirua operacioni? Prokuroria e do pas hekurave, ish-juristi i Kadastrës së Durrësit, Bledi Zerba nuk gjendet në banesë

9 Prill, 15:03| Përditesimi: 9 Prill, 16:52

  • Share

Ish-juristi i Kadastrës së Durrësit, Bledi Zerba ende nuk është arrestuar nga policia, edhe pse është lëshuar një urdhër arresti nga Prokuroria e Durrësit për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentacioni” prej mesditës së të hënës.  Duket se dalja e informacionit një ditë më parë i ka dhënë kohë Zerbës të largohet nga banesa. Nga kontrolli në sistemin TIMS nuk rezulton të ketë kaluar kufijtë, ndaj vazhdojnë kontrollet policore për kapjen e tij.

Denoncimi është kryer nga Njësia Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion pranë Kryeministrisë, për të cilën që prej vitit 2021 kanë nisur hetimet nga prokuroria e Durrësit. Urdhër arrestet dolën një ditë më parë, ku prokuroria kërkonte arrest me burg për Zerbën dhe arrest shtëpie për juristen e Kadastrës, Jonida Margeja. Ish-juristi së bashku me kolegen e tij dyshohet se kanë hipotekuar banesën e qytetarit Ndue Mesiti në Gjirin e Lalzit, përmes disa dokumenteve të falsifikuara.

Po kaq është arrestuar dhe Ndue Mesiti, qytetari që bashku me të vëllanë Ardian Mesiti ka përfituar hipotekën e pronës me sipërfaqe 500 metra katrorë, përmes falsifikimit të dokumenteve. 

IKMT ka shkuar për ta prishur objektin në vitin 2021, por pronarët kanë paraqitur dokumente të hipotekës, nga ku kanë lindur dyshimet se kanë qenë të falsifikuara, duke u përdorur firma e disa punonjësve të tjerë.  Më pas rastin e ka marrë në shqyrtim njësia antikorrupsion e Qeverisë dhe ka rezultuar se zyrtarët kanë marrë dokumente nga zyra e kadastrës së Tepelenës dhe i kanë çuar në Kadastrën e Durrësit. Falsifikimi është konstatuar edhe nga ekspertët e Laboratorit shkencor në Tiranë. Nga verifikimet ka rezultuar se Planimetria dhe Genplani nuk janë të punuara sipas formateve që punon zyra e Kadastrës në Durrës. Fleta e volumit në regjistër është më e madhe në format dhe në fund të saj ka emrin e shtypshkronjës që është printuar (ndryshe nga gjithë të tjerat). Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë zbuluar edhe praktika të tjera të legalizuara me dokumente false për të cilat do të veprohet në vijimësi në bazë të ligjit.

 

 

R.D//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Faro: 09/04/2024 16:54

    Operativët e Zonave veç këtë punë bëjnë përtë dekonspiruar operaconet e policisë me një shpërblim të mirë nga kriminelët,hajdutët,bosat e drogës.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?