Presidenti Bajram Begaj me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi

Abetarja e unifikuar për shqiptarët e Malit të Zi, presidenti Begaj: Gjuha është rrënja e kombit! Të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike

8 Tetor, 09:29| Përditesimi: 8 Tetor, 09:43

  • Share

Presidenti Bajram Begaj, ka bërë bashkë në Tivat të Malit të Zi përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik dhe u bën thirrje që, pavarësisht ngjyrave partiake, të jenë të bashkuar për mbrojtjen e interesit shqiptar.

Kreu i Shtetit shfrytëzoi vizitën në Malin e Zi, ku ndodhet për Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, për të diskutuar me përfaqësuesit shqiptarë atje problematikat e tyre dhe të faktorit shqiptar në tërësi.

Presidenti i Republikës përgëzoi miratimin e tekstit të abetares së përbashkët në shkollat e Malit të Zi, ku mësimi bëhet ne gjuhën shqipe. 

"Abetarja është ajo që na mëson gjuhën dhe gjuha është rrënja e kombit. Pa gjuhë, nuk ka komb”, tha ai.

Ashtu si vitin e shkuar në Manastir të Maqedonisë së Veriut, gjatë ditës së Alfabetit,  ku bashkoi përfaqësuesit shqiptarë të kahëve të ndryshëm politikë, edhe në Tivat, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në takimin e përbashkët me shqiptarët e Malit të Zi, theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat.

“Ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri -tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet”, theksoi Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit mbështeti nismat e ndërmarra për heqjen e barrierave në kufijtë e rajonit.

"Ne ndër vedi nuk mund të vendosim gardhe", tha ai.

Kreu i Shtetit përgëzoi përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi për atë që kanë bërë dhe bëjnë në interes të shqiptarëve dhe i këshilloi se është e rëndësishme të mos tolerojnë veprimet antishqiptare.

“Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve, me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse.  Mendimet individuale ne nuk i kundërshtojmë dot. Ne kundërshtojmë veprimet. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, bien ndesh me njohjen e saj, bien ndesh me votimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, tha ai. 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh se duhet bërë më shumë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe jo vetëm.

Gjithashtu, ai u shpreh se asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, për parandalimin e të cilit është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës dhe kulturës shqipe.

Gjatë bisedës me Presidentin, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi evidentuan kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik, kulturor e politik të vendit dhe u shprehën shpresëplotë për pritshmëritë në forcimin e pozitës së tyre në të ardhmen.

Ata, gjithashtu, siguruan se, me kontributin e tyre në jetën politike dhe ekonomike në Malin e Zi, do të vazhdojnë të jenë faktor të rëndësishëm  për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Presidenti Begaj i siguroi ata se ai personalisht do të mbështesë çdo inciativë që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?