Arbër Abilaliaj

Abilaliajt s'i del e keqja: Një buf nuk e shikonte penalltinë në derbi! Grezda? Klubi nuk mori çfarë donte

6 Dhjetor 2023, 16:57
  • Share

Partizani dhe Teuta luajnë nesër në orën 17:00 për ndeshjen e prapambetur në Superligë. Dy skuadrat do duhet të luanin javën e parë të kampionatit, por për shkak se të kuqtë që janë kampionët në fuqi të vendit kishin impenjime në Europë, dueli u shty dhe do zhvillohet nesër.

Përpara sfidës për mediet foli Arbër Abilaliaj. Trajneri i Partizanit tha se durrsakët janë të fortë si ekip, teksa komentoi edhe penalltinë e pretenduar në derbin Tirana 1-1 Partizani. Vlonjati ceku edhe largimin e Eros Grezdës pas vetëm pesë muajsh në ekip.

"Teuta? Kam përshtypjen që si skuadër është e vështirë, patjetër është një ndeshje e fortë. Ne kemi luajtur me Teutën këtu dhe ka qenë e luftuar dhe që është zgjidhur vetëm në fund. Nëse marrim pikët e plota do të jetë një bonus psikologjik për skuadrën. I gjithë grupi është pozitiv, i ka tejkaluar vështirësitë që ka pasur, kanë munguar dhe mungojnë shumë lojtarë.

Eros Grezda? Përsa i përket largimit të Grezdës pritshmëritë kanë qenë të larta si ai ndaj vetes ashtu edhe klubi ndaj tij, ishte një marrëvëshje që ishte bërë që në fillim dhe ai nuk arriti atë që donte dhe klubi se mori atë që dëshironte.

Barazimi në derbi? Jemi mësuar me oshilacionet. Jam i kënaqur me pjesën e dytë të lojës në derbi, ekipi reagoi. Keqardhje që nuk u luajt futboll ashtu si ne dëshironim. Dukej më shumë si arenë lufte se sa arenë futbolli. Në fund të cdo ndeshje bëmë analizën tonë, na përfaqëson në një mënyrë ose tjetër, nuk ishte Rrapaj ai që prisnim.

Vetëm bufi nuk mund ta shikonte atë penallti se kam përshtypjen që dhe ai që ishte në fund të tribunës ishte mëse e dukshme. Ky është një interpretim që pas pilafit nuk na duhet pasur parasysh që nuk kemi marrë penallti pro, më shumë kanë qenë dorëlëshuar kundrejt Partizanit, më kujtohet ajo penalltia e dhënë në favor të Dinamos, por kjo u bë e bezdishme për pozicionin që jemi", tha mes të tjerash trajneri i Partizanit.

Pas 14 ndeshjeve të luajtura, Partizani me 29 pikë mban vendin e dytë, ndërsa Teuta me 13 pikë pozicionohet e fundit në renditje dhe ka gjashtë ndeshje pa fitore.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?