Abuzimet me pronat/ Dënohet për herë të dytë Pëllumb Petritaj! Gjykata e Vlorës cakon 5 vite e 4 muaj burg për dy akuza

24 Janar 2020, 15:16| Përditesimi: 24 Janar 2020, 16:37

  • Share

VLORE- Pëllumb Petritaj, njeriu që është marrë disa herë i pandehur nga prokuroria për “Falsifikimin e dokumenteve”, me qëllim tjetërsimin e pronave në bregdetin e Vlorës dhe “Pastrim parash”, është dënuar me 5.4 vite burgim nga gjykata e Vlorës. Vendimi është dhënë në 21 janar nga gjyqtari i Vlorës, Skënder Haluçi, ndërsa prokuror i çështjes penale, ka qenë Albert Kuliçaj, person ky që në 21 dhjetor 2019, iu vendos një sasi e konsiderueshme tritoli në makinën e parkuar shumë pranë banesës në Vlorë. Dënimi me 5.4 vite burgim për Pëllumb Petritaj është i dyti, pasi në muajin prill 2018, Petritaj, është dënuar sërish nga gjykata e Vlorës me 3 vite burgim për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” me qëllim tjetërsimin e një sipërfaqe toke në zonën e Zvërnecit.

Petritaj, akuzohej nga prokuroria e Vlorës për falsifikimin e një vendimi gjyqësor që mban datën 4 maj 1996, ku është vendosur vërtetimi i faktit të lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë së të ndjerit Seit Shehu,duke përcaktuar si trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë Kutbi Shehu, Ramis Shehu, Merjeme Shehu.

 Ky vendim është pasqyruar sikur të ishte dhënë nga treshja e gjyqtareve Anila Hamzaraj, Anila Galanxhi dhe Gjinovefa Gaba. Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke rreth 32 mijë metra katror, që ndodhen në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë. Në pretencën e tij, prokurori Albert Kuliçaj i kërkoi gjykatës dënimin me 8 vite burgim të Petritaj. Kjo masë dënimi u miratua nga gjyqtari Haluci, i cili në përfundim të procesit gjyqësor vendosi shpalljen fajtor dhe dënimin me 8 vite burgim të Petritaj për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Por për shkak se biznesmeni Petritaj ka hyrë me gjykim të shkurtuar në këtë çështje, dënimi i tij përfundimtar është dhënë në masën e 5.4 vite burgim.

Pas këtij dënimi, duket se testi i radhës për Pëllumb Petritaj, do jetë në gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila do vendosi ose jo që dënimi i biznesmenit të marrë formë të prerë. Momentalisht Petritaj ka edhe një proces gjyqësor të hapur në gjykatën e Vlorës për abuzimet me pronat në zonën e Zvërnecit, ku në këtë proces prokurori Kuliçi ka kërkuar në pretencën e tij, dënimin me 20 vite burgim të Pëllumb Petritaj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?