Kleriku i Kishës Katolike të Gjermanisë, kardinali Reinhard Marx, i ka ofruar dorëheqjen Papa Françeskut, për shkak të skandaleve me abuzime seksuale të fëmijëve nëpër kisha.
“Është e rëndësishme që të ndaj përgjegjësinë për katastrofën e abuzimeve seksuale nga zyrtarët e kishës në dekadën e fundit”, ka thënë ai në letrën dërguar Papës.
Në letrën e tij, kardinali ka thënë se hetimet gjatë viteve të fundit kanë bërë publike “shumë dështime personale dhe gabime administrative”, por edhe “dështim sistematik institucional’.
Reinhard Marx, ka shërbyer si kryepeshkop i Mynihut.
Papa është duke analizuar kërkesën e tij, derisa më herët ka dërguar dy peshkopë në Këln që hetojnë rastet e abuzimeve.
Në vitin 2018, në një studim të kryer nga vetë kisha, është gjetur që më shumë se 3,600 fëmijë në Gjermani ishin sulmuar seksualisht nga priftërinjtë katolikë në periudhën 1946-2014.
Vetëm 38 për qind e të dyshuarve për kryerje të këtyre veprave janë gjykuar dhe shumica janë përballur me procedura të vogla disiplinore.
Rreth një në gjashtë raste ka përfshirë dhunimin, shumica e të cilëve kanë qenë djem dhe më shumë se gjysma kanë qenë të moshës 13-vjeçare apo më të rinj.
Dorëheqja e Marksit erdhi menjëherë pas një reforme mbi abuzimet, reformë e kërkuar nga Papa. Në fakt, me urdhër të Papa Françeskut , abuzimi i të miturve u formulua si një krim kundër dinjitetit të personit.