Krahas tenderit të konsideruar abuziv me vlerë 27 milionë USD për uniformat e policisë, për të cilin SPAK goditi 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, kompania D&E Shpk, me administrator dhe pronar Ismail Kadiun, ka fituar një tjetër tender në mënyrë të padrejtë dhe të dyshimtë sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e uniformave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me fond limit 88,776,700 lekë ose rreth 900 mijë USD. Ashtu si në rastin e tenderit për uniformat e policisë, procedurat për tenderin për uniformat për Drejtorinë e Burgjeve janë zhvilluar në vitin 2019 nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme.
Në tenderin e shpallur në 8 prill 2019 për blerjen e uniformave për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve kanë marrë pjesë tre kompani, ARISA, bashkimi i operatorëve Gjergjefi dhe Toni Oil, si dhe bashkimi i operatorëve D&E SHPK dhe Summer Conf SRL. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të ofertave, ka vendosur që të kualifikojë të tre kompanitë. Në këto rrethana, sipas ligjit, duhet të shpallet fituese kompania me ofertë më të ulët, sepse në fund të fundit, kjo është edhe arsyeja e zhvillimit të garës, për të kursyer paratë publike.
Dhe këtu ka ndodhur çudia. Fituese është shpallur kompania D&E, me pronar dhe administrator, Ismail Kadiun, me ofertë më të lartë. Të paktën kështu thuhet në këtë raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i majit 2020, ku është analizuar dhe verifikuar ligjshmëria e procedurave tenderuese në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara gjatë vitit 2019. Sipas raportit, fituese nuk duhej të shpallej kompania D&E, por kompanitë “Gjergjefi” SHPK dhe “Toni Oil”, me ofertë 17,358,910 lekë më të ulët se sa oferta e kompanisë së Ismail Kadiut, i cili fitoi edhe tenderin e konsideruar abuziv për uniformat e policisë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, sipas KLSH-së, ka shpallur fituesin në mënyrë të paligjshme, duke u bazuar në çmimin për njësi, kur në fakt duhej t’i referohej ofertës në tërësi.
Megjithatë, vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e uniformave për Drejtorinë e Burgjeve nuk është ankimuar nga kompanitë “Gjergjefi” në pronësi të Jani Gjergjefit si dhe nga Fatjon Shega dhe Astrit Shega. Mungesa e ankesës me sa duket shpjegohet me faktin se Jani Gjergjefi dhe Ismail Kadiun kanë marrë pjesë së bashku në tendera të tjerë për uniformat. Jani Gjergjefi është një personazh i skeduar për tendera të dyshimtë. Ai është arrestuar në dhjetor 2009 me akuzën e korrupsionit me tenderin për uniformat e policisë. Dy vjet më vonë, në vitin 2011, Drejtoria e Përgjithshme të Policisë publikoi shpalli fitues sërish kompaninë “Gjergjefi” shpk, me pronar Jani Gjergjefi, i cili ishte arrestuar në 2009 për korrupsion me tenderin e parë dhe që ishte ende në proces gjyqësor.
Raporti i KLSH për tenderin e uniformave për burgjet
Po Olt Muzaka qe ben si njishi Ministrise Financave dhe mban drejtorin e ATK apo smeret njeri me keta. O sa turp o Rama qe i ke molaret nga brenda. Po zhduki more zhduki para se tja bejne bam e tu dalin zullumet pa fund!
Përgjigju