GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg ish kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe! Fajtor për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje

29 Korrik 2022, 18:51| Përditesimi: 29 Korrik 2022, 19:58

  • Share

Ish kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje. GJKKO ka vendosur ta dënojë me burg dhe t'i hiqë të drejtën për 5 vite që të mbajë funksione publike. Ndaj tij rëndonin tre akuza, për të parën, atë të abuzimit me tenderat për kanalet vaditëse ka marrë pafajësi ndërsa u dënua për 2 akuza, për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje. Sapo dëgjuan se ishte i pafajshëm për akuzën e favorizimit me tendera të kompanive private, familjarët duartrokitën për 30 sekonda dhe më pas u dha vendimi për akuzat e tjera.

Edhe dy vartësve të tij, Flamur Peqinit, i dënuar me 2 vite burg e Gentian Nushit, i dënuar me 1 vit e 8 muaj burg i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Ndaj zyrtarëve të tjerë që janë dënuar me burg Leonard Sefa, Xhemal Hasko, Blerta Turku, Bardhi Mëhilli, Ilva Billo, Gazmend Çela, Margarita Gjermeni, Andri Nusho, Bektash Nezha, Andia Simoni dhe Ledi Aleksi rëndojnë akuzat për veprën penale, "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike", "Shkelja barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", "Shpërdorimi i detyrës", dhe "Falsifikimi i dokumenteve". Pas arrestimit të tyre më 6 korrik, janë ushtruar edhe kontrolle në zyrat e bashkisë Lushnje, mes tyre drejtoria e urbanisitikës, aty ku dyshohej se kishte materiale që do të provonin akuzën e SPAK, atë të përfshirjes në korrupsion pasiv të zyrtarëve publikë. 

Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik 2021, me ish-vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga kompania EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Muratin Në fund, Lami dhe Murati i ndanin paratë bashkë.

Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës u shkarkua nga detyra më 7 korrik 2021 nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.

Vendimi i GJKKO

Fatos Tushe: 2 vite e 4 muaj burg
Flamur Peqini: 2 vite burg
Gentian Nushi: 1 vit e 8 muaj burg
Leonard Sefa:  1 vit 6 muaj burg
Xhemal Hasko 2 vjet 6 muaj burg
Bleta Turku 1 vit e 4 muaj burg
Bardhi Mëhilli 1 vit e 6 muaj burg
Ilva Billo 1 vit burg
Gazmend Çela 1 vit e 8 muaj burg
Margarita Gjermeni 1 vit e 4 muaj burg
Andri Nusho 1 vit e 4 muaj burg
Bektash Nezha 1 vit e 6 muaj burg/ Ka shlyer burgun dhe masën e sigurisë, ndaj duhet të lirohet
Andia Simoni 1 vit e 2 muaj burg
Ledi Aleksi 8 muaj burg

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?