Kronikë

Tentativa për pengimin e zgjedhjeve lokale të 2019 dhe abuzimi me tenderin e druve, SPAK dërgon në GJKKO ish-kryebashkiakun e PD të Pogradecit dhe 5 vartësit e tij

13 Korrik 2021, 08:34| Përditesimi: 13 Korrik 2021, 09:36

  • Share

SPAK ka mbyllur sot hetimet për ish-kryebashkiakun e PD në Pogradec, Eduart Kaprin dhe 5 ish-vartësit e tij, ndërsa çështja ka shkuar tashmë në Gjykatë e Posaçme. Kapri dhe 5 vartësit e tjerë do të gjykohen në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019 si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.

Përveç Kaprit, janë dërguar në GJKKO Avdulla Canon, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec, Nexhmi Torrën, ish-koordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec, Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec dhe Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec,

Sipas SPAK, nga hetimet rezultoi se Kapri, së bashku me dy ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë së Pogradecit, Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri akuzohen edhe për faktin se tentuan të pengonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor të 2019, duke i vënë drynin tre shkollave dh enjë kopshti, që ishin përcaktuar si qendra votimi nga KQZ.

Safet Blaceri 59-vjeçari Gurali Blaceri u arrestuan më 29 qershor, një ditë para zgjedhjeve, pasi u kapën duke mbyllur me çelës tre shkolla dhe një kopsht fëmijësh në lagjet nr 2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, që ishin përcaktuar si qendra votimi. Në një reagim pas kësaj ngjarje, Kapri tha asokohe se shkollat ishin pronë e bashkisë dhe se kishin zbatuar dekretin e Presidentit që shtyu datën e zgjedhjeve lokale.

Po ashtu, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano akuzohen se  kanë abuzuar me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, pas hetimeve të SPAK u arrestua dhe ish-kryetari i Bashkisë Lushnjë Fatos Tushe dhe 6 zyrtarë të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me një tender abuziv me vlerë 24 mln lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 12.7.2021, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr.69 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve:

  • Eduart Kapri, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal;  
  • Avdulla Cano, me detyrë ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;
  • Nexhmi Torra, me detyrë ish-koordinator i Njësive Administrative pranë Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
  • Enkeleida Kllomollari me detyrë ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore pranë Bashkisë Pogradec, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
  • Gurali Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal
  • Safet Blacerime detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal,

Ky procedim është regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, dhe “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248-25 dhe 258-25 të Kodit Penal dhe në objekt të hetimit të tij ka patur dy fakte penale:

Fakti i parë penal, lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”.

Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Fakti i dytë penal ka lidhje me ngjarjen e datës 28.06.2019, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gurali dhe Safet Blaceri, duke vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkolla dhe një kopsht, institucione këto që ndodhen ne lagjet nr.2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka patur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve.

 

Ora 11:00
Abuzimi me tenderin e druve, ish-kryebashkiaku i Pogradecit dhe vartësit e tij shkaktuan një dëm prej 960 mijë lekësh

Report Tv ka mësuar të tjera detaje në lidhje me abuzimin me tenderin e druve, një ndër akuzat që rëndojnë mbi ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kaprit dhe 2 vartësve të tij.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, bën me dije se Kapri, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Canoj përvetësuan afërsisht 10% të shumës së tenderit, duke vjedhur 800 mijë lekë dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm rreth 960 mijë lekë.

Po ashtu rezulton se Kapri është pyetur nga SPAK para disa javësh në lidhje me këtë çështje, por ka mohuar akuzën për shkeljen e barazisë në tendera. Ndërkohë, nga dokumentacioni i sekuestruar nga SPAK, akuza për shkeljen e barazisë në tendera rezulton e provuar.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eli: 13/07/2021 10:27

    Po Voltanen pse nuk e hetoni.Ka mbyllur me zinxhir dyert ne shkollat me qendrat e votimit brenda per te penguar zgjedhjet dhe organizuar protesta te dhunshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?