TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 6 zyrtarë të ARRSH për shkelje të barazisë në tenderë. Ndaj 6 zyrtarëve, Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj, Admir Pahumi rëndon akuza për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas SPAK, zyrtarët kanë shkelur ligjin në tenderin me vlerë 22 mln euro për “Rehabilitimin e segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja” në Unazën e Re në Tiranë, të shpallur më 14 qershor 2019 dhe firmosur më 22 tetor 2019. Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve ekonomikë: Salillari SHPK– Bajrami N. SHPK
Organi i akuzës i akuzon 6 zyrtarët se gjatë procedurës tenderuese kanë favorizuar kompaninë ‘Salillari' të Pëllumb Salillarit për të fituar tenderin, së bashku me kompaninë tjetër “Bajrami N”, me pronar një personazh të njohur në Elbasan, Nafiz Bajramin, edhe pse nuk kishin ofertën më të mirë. Të gjithë operatorët konkurrues u përjashtuan nga kjo procedurë, përfshirë edhe atë me ofertën me vlerën më të ulët.
SPAK bën të ditur se janë analizuar dhe administruar një sërë provash të rëndësishme, përfshirë dokumente tenderuese dhe teknike, informacione administrative, dosje të ofertave të dorëzuara, si edhe dokumentacionin e procedurave të ankimimit dhe vendimet përkatëse të Komisionit të Prokurimit Publik.
Gjithashtu, janë marrë në pyetje shumë përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në procedurat e tenderimit, të cilët janë pyetur në cilësinë e personave që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të hetimit. Po ashtu, janë sekuestruar dokumente zyrtare dhe janë administruar prova për disa procedura të tjera tenderuese të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021. Për këto procedura, hetimet vijojnë ende.
Sipas SPAK, gjatë zhvillimit të kësaj procedure janë kryer shkelje të rënda të ligjit, nëpërmjet veprimeve të koordinuara mes zyrtarëve të pandehur, duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat ligjore të shtetit.
"Procedimi penal 175/1/4 i vitit 2025, është veçuar nga procedimi penal 175/1 i vitit 2022 – regjistruar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale;”Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal.
Në procedimin 175/1 janë administruar dhe analizuar, dokumente tenderuese dhe teknike, informacione administrative, oferta të dorëzuara, procedura ankimimi, vendime te Komisionit të Prokurimit Publik. Gjithashtu janë pyetur në cilësinë e personave që sqarojnë rrethana te hetimit shumë perfaqësuesë të subjekteve konkurues dhe ankimues, si dhe janë sekuestruar akte, janë këqyrur dhe administruar prova shkresore nga sistemet shtetërore për disa procedura tenderuese të zhvilluara nga ARRSH, gjatë viteve 2019-2020-2021, për të cilat hetimet vijojnë.
Procedimi penal 175/1/4-2025 bën fjalë për procedurën e prokurimit me objekt: “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1 me fond limit 2,250,950,653.25 Lekë pa (tvsh) me nr. REF-26436-06-13-2019.
Nga analizat e provave dhe të dhënave të grumbulluara, rezulton e provuar se gjatë kryerjes së procedurës së mësipërme të prokurimit, e zhvilluar nga ARRSH, të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit", njoftoi SPAK.
Tenderi me ‘flamur të kuq’
Tenderi për rehabilitimin e segmentit rrugor “Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, me vlerë 22 mln euro, është shoqëruar me një sërë shkeljesh që e kanë klasifikuar me flamur të kuq në sistemin e prokurimeve publike.
Të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesit, janë skualifikuar, përfshirë ofertën me vlerën më të ulët. Për më tepër, procedura është anuluar dy ose më shumë herë para se të shpallej fituesi përfundimtar, përfshirë atë të shtator 2018 që u fitua nga kompania DH Albania, një kompani fantazmë, që krijoi një skandal në vend.
Në garë për marrjen e tenderit ishin edhe 7 kompani të tjera përveç Salillarit që e ka fituar tenderin me fond limit 22.5 milionë eurosh me një ofertë vetëm 1.2 milionë euro më pak, pra 21.3 milionë euro.
Zyrtarët nën hetim nga SPAK edhe për shkeljet në Kardhiq-Delvinë
5 nga zyrtarët që janë dërguar për gjykim, janë nën hetim nga SPAK edhe për abuzim me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Konkretisht, Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Admir Pahumi.
Komente

E po si nuk degjuam qofte dhe nje here te vetme qe nje tender te filloje e te mbaroje ne rregull,e sipas ligjeve,pa shkelje,pa perfitime te dyshimta,pa preferenca,pa favorizime,pa vjedhje e mashtrime,pa vajtur ata qe e dhane e ata qe perfituan para drejtesise!!
PërgjigjuCa faji kane punonjesit e shtetit, ca faji kane firmat, spaku u krijua per politikanet e lart, jo per show mediatik. Ca doni te na tregoni tani qe ka drejtesi ? Pse kjo eshte drejtesia ? Qeveria te miratoje ligje te reja penale dhe jo nje kod penal qe per cdo gje thot burg burg, pa lidhje gjithe fryma e spakut
Përgjigju