TIRANË- GJKKO ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’ për Edlira Naqellarin, ish-drejtoreshën e Prokurorimeve Publike, e cila përfundoi pas hekurave pas zbulimit të tenderit abuziv 2.8 mld lekë me uniformat e policisë. Edlira Naqellari kishte kërkuar zbutje të masës së sigurisë, por kjo kërkesë u refuzua.
Kujtojmë se SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10 korrik, ku u arrestuan ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë 'zbërthyer' skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.
Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.
Fituesi i tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l” dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit, dhe se janë skualifikuar kompani që kanë ofruar çmime më konkurruese.
Masat e dhëna për zyrtarët e tjerë:
Arrest me burg
Edlira Naqellari, ish drejtoresha e Prokurimeve Publike
Flutura Çekrezi, anëtare e njësisë së prokurimit
Ani Omuri, anëtare i njësisë së prokurimit
Kleivis Hasani, anëtar i njësisë së prokurimit
Kreshnik Bejkaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
Fatmir Demneri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
Mariglen Buzali, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
Gëzim Mingaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
Arrest shtëpie
Anisa Bogdani, anëtare e njësisë së prokurimit.