Abuzimi me tenderin për RTSH Agro, dënohet me 1 vit e 4 muaj burg ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi

2 Qershor 2022, 14:32| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 16:48

  • Share

Ish-drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi është dënuar nga GJKKO me 1 vit e 4 muaj burg, për shkak të një abuzimi me tenderin për RTSH Agro. Po ashtu GJKKO ka dënuar me nga 1 vit burg edhe 3 vartësit e Thoma Gëllçit, Julian Tapinë, Ervin Murjan e Alban Malavecin. GJKKO i ka hequr Thoma Gëllçit të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Avokati i ish drejtorit të RTSH-së, Dorian Matlia ka reaguar pas vendimit, ku tha se kjo është një gjykatë popullore, ku duan që të kënaqin njerëzit për konsum publik. Sipas Metaliajt është bërë një presion shumë i madh që të ketë këtë rezultat.

‘Kjo është një gjykatë popullore, ku duan të kënaqin njerëzit për konsum publik, është një çështje që mund të vendosë në rrezik zyrtarë të lartë, shteti nuk mund të funksionojë në këtë lloj mënyre. Do të kemi një rrugë të gjatë drejt pafajësisë. Është bërë një presion shumë i madh, që të ketë rezultate. Ka njerëz që kanë interes personal për dënimin e Thoma Gëllçit’, u shpreh Matlija.

Një tender në Radio Televizionin Shqiptar i nënshkruar në nëntor të 2018-së për 'RTSH Agro', çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 zyrtarë të këtij televizioni. SPAK bëri arrestimin e tyre.

Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), afro 1 mln dollarë me TVSH.  Zyrtarët e RTSH-së u arrestuan në fillim të muajit Tetor, pas denoncimit që bënë kompanitë e skualifikuara në tender. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?