Opinioni publik është tronditur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Kosovë ku një e mitur 11-vjeçare u abuzua seksualisht nga 5 persona.
Revolta e shumë qytetarëve për këtë akt të tmerrshëm ndaj të miturës u shoqërua me protesta në Prishtinë dhe Tiranë ku u mblodhën aktivistë, mjekë, njerëz të ekranit, këngëtarë, gazetarë por madje dhe bashkëmoshatarë të saj.
Ndaj abuzimit seksual të 11-vjeçares ka reaguar dhe këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa.
"Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Drejtësi”, “Rrugë të sigurta”, “Gra të armatosura", janë këto pankartat e postuara nga Dua Lipa në "Instagram", të cilat u panë nga protesta e ditës së djeshme.
Postimi i Dua Lipës
Ngjarja e rëndë ku një vajzë 11-vjeçare u abuzua seksualisht nga 5 persona mendohet të ketë ndodhur më 27 gusht nga ora 17:30 deri në orën 00:30. Dhunimi i vajzës së mitur ka nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një vend tjetër të panjohur.
Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, Gent Rexhepi, Xhabir Salihu, Gentrit Jashari, keqtrajtuan seksualisht vajzën e mitur, ndërsa më pas ka shkuar edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi të cilit iu bashkua Shkëlqim Kameri, të cilin e ka thirrur vëllai i tij Gent Rexhepi. Në një zonë, 26-vjeçari ndaloi makinën në një tjetër vend dhe kreu marrëdhënie seksuale me të miturën. Në dëshminë që ka dhënë vetë ajo në polici, ka treguar se ishte në park kur iu afruan 3 persona duke e ngacmuar me fjalë. Ndonëse pretendon se nuk i ka kthyer përgjigje dhe ka vijuar rrugën e saj, njëri i është afruar dhe e ka prekur.