Kronikë

Abuzoi me fondet dhe punësoi familjarët e tij, në pranga ish-kreu i Urdhrit të Stomatologut! Gjykata: Mund të prishë provat, rrezik largimi

14 Qershor, 11:59| Përditesimi: 14 Qershor, 18:58

  • Share

TIRANË- 8 muaj pasi dosja për ish-kreun e Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda kishte kaluar për gjykim, ai është arrestuar me kërkesë të prokurorit të Tiranës, Bledar Valikaj. Blutë kanë ekzekutuar masën e arrestit me burg për 70-vjeçarin, pas dyshimeve të organit të akuzës se ai mund të pengojë hetimin apo t’i shmanget drejtësisë.

Në nëntor 2024, dosja ndaj Dedës kaloi për gjykim, i akuzuar për 3 akuza “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Ai u denoncua nga një qytetar, ndërsa dyshohet se ka abuzuar me fondet dhe se ka punësuar familjarët e tij.

Sipas togave të zeza, ekziston rreziku që i akuzuari të prishë provat, ose të largohet jashtë vendit. Hetimet nisën pas kallëzimit të Almiro Gurakuqit, aktualisht President i Urdhrit të Stomatologut, i cili e akuzoi Dedën për shpërdorim fondesh dhe rritje të pajustifikuar të buxhetit të institucionit ndër vite.

“Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal në një tjetër procedim, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.

Organi i Prokurorisë vlerëson se është e nevojshme marrja e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit Nikoll Deda, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës dhe ekziston rreziku që ai të largohet”, njofton Prokuroria e Tiranës.

Sipas të dhënave hetimore, në vitin 2020 buxheti i Urdhrit ishte 38.5 milionë lekë, ndërsa në 2021 e rriti me 13.5 milionë lekë. Në vitin 2022, Nikoll Deda e çoi buxhetin në 125.8 milionë lekë, pasi ka blerë godinë për Urdhrin e Stomatologëve, ka kryer disa investime brenda saj si dhe u ka dhënë shpërblime punonjësve. Sipas kallëzuesit, këto veprime janë në kundërshtim me një vendim të gjykatës administrative të 5 viteve më parë.

Deda akuzohet gjithashtu për punësime të paligjshme të personave të afërt, duke ndikuar në vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar që nga viti 2016.

Vjedhja më e madhe dyshohet se është bërë në shpenzime të mbrojtjes ligjore dhe gjobave nga përmbaruesit për moszbatim të vendimeve gjyqësore. Përveç pagesave për avokatë, lëvizje bankare janë bërë edhe për llogari të një argjendarie dhe udhëtime jashtë vendit me buxhet 3 herë më shumë se sa e lejon kuota e parashikuar.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

SI.E./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?