Diploma peng për 5 vite, miratohet pr.ligji për studentët e Mjekësisë në Komisionin e Edukimit! Açka: Jam spektatore, ndjesë, ligji është për oligarkët

18 Korrik 2023, 12:36| Përditesimi: 18 Korrik 2023, 18:31

  • Share

Ditën e enjte, në seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni parlamentar, pritet të votohet në parlament projektligji që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri përpara se të tërheqin diplomën.

Me 9 vota pro, 7 kundër dhe një abstenim komisioni për edukimin dhe mjetet e informimit publik e miratoi në parim projektligjin. Miratimi i ligjit u kundërshtua ashpër nga deputetja e PD Flutura Açka

“Po bëjmë një ligj për oligarkët. Do të kalojë ky ligj. Unë këtu jam spektatore dhe ju kërkoj ndjesë. Jam spektatore dhe më vjen shumë keq. Ambalazhi është aq i bukur, sa të bie të fikët nga bukuria, por ajo që është pas nuk është dhe aq.”- tha Açka.

Të pranishëm në seancë dëgjimore, studentët e mjekësisë të cilët kundërshtojnë projektligjin, u bënë thirrje deputetëve të mos votojnë pro për të mbajtur peng diplomat ndërsa paralajmëruan bojkot të vitit të ri akademik.

“Nëse ky projektligj do të miratohet ne do të  ndjekim në gjykatë kushtetuese, si dhe vitin e ardhshëm akademik do bëjmë bojkot të plotë…”- tha studentja Dea Guri.

Projektligji parashikon që të gjithë ata kandidatë, maturantë që do të fitojnë të drejtën për tu regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje për të pranuar që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Ndërkohë për studentët që janë aktualisht në sistem, ato nga vitit i dytë deri në vitin e katërt do të punojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit për të punuar edhe ata në institucionet tona. Dhe për ta tërhequr diplomën pas shlyerjes së këtij detyrimi. Ndërkohë që alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve por për vitet që kanë mbetur.

Ndërkohë që nuk ka një vendim të institucioneve në lidhje me pagesën që do të duhet të paguajnë studentët nëse nuk do ta firmosin marrëveshjen. Sipas një dokumenti të publikuar nga Qëndresa Qytetare në vitin 2019 kostoja për një student ishte 2300 euro, ndërsa për vitet e ardhshme metodologjia ende nuk është përcaktuar. 

Ora 13:29
Kundërshtojnë pr.ligjin e qeverisë, studentët e mjekësisë: Si mund të punojmë ne kur na mbani 3 vite diplomën?

 

Studentët e mjekësisë të cilët kundërshtojnë projektligjin e Ministrisë së Shëndetësisë për kontratën 5-vjeçare në këmbim të diplomës.  Ata janë duke folur sot në Komisionin e Medias për shqetësimin e tyre.

“Mbledhje që janë bërë me studentët nuk kanë qenë konsultative, duam t’ju sqarojmë se studentët kanë pasur kundërshti për këtë projektligj. Ne kundërshtojmë të gjithë ligjin në thelb, ju as për të llogarit tarifën nuk keni pasur kohë, pasi e keni marrë me nxitim. Njëherë na thoni do e përcaktoni me VKM dhe më akoma nuk dimë tarifën”, tha një përfaqësues nga studentët.

“Ne jemi një grup studentësh dhe kemi qëllim të përbashkët, se kuptoj se çfarë kuptim ka që të mbash peng diplomës. Si mund të punoj unë 3 vite pa diplomë, keni pyetur pse largohen mjekët. Është ngritur një akuza rreth nesh që ne largohemi direkt, por sipas statistikave mosha moshatare është 33 deri në 36 vjeç, pasi kanë dhënë vite kontribut”, tha një tjetër.

G.MO/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?