Kronikë

‘Adoleshenti e kishte paralajmëruar aktin ekstrem’, zbardhen detaje nga ngjarje e rëndë në Gjirokastër! Prokuroria: S'ka indicie për bullizëm nga shokët

21 Prill, 16:17| Përditesimi: 21 Prill, 17:48

  • Share

Vehip Peçi, nxënës i gjimnazit “Siri Shapllo”, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banesë të dielën e Pashkëve (20 Prill, ora 13:30).

Ngjarja ka tronditur banorët e Valaresë, një fshat i vogël në periferi të qytetit të Gjirokastrës. Fqinjët e përshkruajnë Vehipin si djalë të sjellshëm me rezultate të mira në mësime.

“E njihnim ishte djalë i mençur dhe i shkathët. Problemi është tek telefonat që mbajnë fëmijët në duar”.

“Është shumë e trishtë, djalë i mirë dhe familje e mirë. Më ka ardhur shume keq, s’më ka zënë gjumi natën”, - thanë fqinjët e familjes Peçi.

15-vjeçari jetonte me nënën dhe dy motrat e vogla përkatësisht 10 dhe 3 vjeç në një banesë dy katëshe, në kushte të mira ekonomike. I ati punonte marinar në floten tregtare të Danimarkes dhe gjendej në lundrim në brigjet e Skocisë kur mori lajmin e kobshëm. Pritet të kthehet të martën për t’i dhënë lamtumurën djalit të vetëm.  

Nga burimet mësohet se adoleshenti po kalonte një periudhë të vështirë psikologjike dhe kishte shfaqur shenja të izolimit, megjithatë nuk merrte trajtim mjekësor. Këtë akt të rëndë i riu mësohet se e kishte paralajmëruar kohë më parë duke u thënë shokëve të tij të klasës se “do të shtegtonte tek Zoti” por ata asnjëherë nuk i morën seriozisht fjalët e tij.

Ndërsa në banesë janë gjetur disa shënime, ku i kërkonte ndjesë prindërve, mësuesve, psikologes dhe miqve për shqetësimet që mendonte se u kishte shkaktuar. Shkaqet mbeten mister, ndërsa prokuroria e Gjirokastrës e përjashton bullzimin. Po kështu Zyra Arsimore e Gjirokastrës e mohon fenomenin e bullizmit në gjimnazin “Siri Shapllo”.

Komuniteti gjirokastrit është i tronditur për faktin se ngjarja vjen vetëm dy muaj pas vetëvrasjes së 17-vjeçares, Irsa Meçollari (më 10 shkurt 2025), nga e njëjta shkollë dhe në të njëjtën mënyrë “varje në litar”.  Asokohe u tha se Irsa bullizohej në shkollë, por Prokuroria e Gjirokastrës nuk ka arritur të zbulojë shkakun. Deri më tani nuk ka të dhëna nëse dy rastet kanë nxitje apo ndikime të përbashkëta.

Ora 16:49
Vetëvrasja e 15-vjeçarit në Gjirokastër, Prokuroria: S'ka indicie për bullizëm nga shokët! Sekuestrohen materialet shkollore të të miturit

Prokuroria e Gjirokastrës ka dalë me një njoftim për mediat lidhur me vetëvrasjen e 15-vjeçarit Vehip Peçi. Prokuroria thotë se deri në këtë fazë të hetimit, nuk konstatohet asnjë e dhënë apo indice e cila të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit, ka si shkak ngacmimet apo sjelljet bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij.

“Në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2025, ku në ambientet e jashtme të banesës së tij në fshatin Valare, Gjirokastër është gjetur i vetëvarur, pa shenja jete, shtetasi i mitur V.P., i moshës 15 vjeçare, pasi Komisariati i Policisë Gjirokastër ka njoftuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në prezencë të prokurorit të seksionit për të mitur dhe prokurorit të gatshëm, me urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, është krijuar menjëherë grupi hetimor, për trajtimin e çështjes. Nën drejtimin e prokurorisë janë kryer veprimet e para hetimore, të cilat konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor, sekuestrimin e telefonave, aparateve kompjuterike si dhe këqyrja e tyre, sekuestrimi i materialeve shkollore të fëmijës së mitur, si dhe janë marrë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të ngjarjes të punonjësve përgjegjës për trajtimin e të miturit. Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, nuk konstatohet asnjë e dhënë apo indice e cila të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit, ka si shkak ngacmimet apo sjelljet bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij.

Prokuroria Gjirokastër po vijon me prioritet të veçantë hetimet, në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe të veprimeve të kryera nga ana e autoriteteve përgjegjëse, kompetente lidhur me trajtimin e rastit së të miturit V. P”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Gjirokastrës.

R.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?