Sociale

Adoleshenti gjen zgjidhje për kaosin e transportit urban. Krijon “TIR”, aplikacioni që tregon si të lëvizni me autobus në Tiranë

31 Korrik, 16:22| Përditesimi: 31 Korrik, 16:43

  • Share

Të orientohesh në rrjetin gati kaotik të transportit urban në Tiranë, mund të mos jetë më diçka e komplikuar. Një aplikacion i krijuar nga një adoleshent, i apasionuar pas teknologjisë së informacionit, ofron zgjidhje, për këdo, jo vetëm turist, që dëshiron të lëvizë me autobus në kryeqytet.

Ky është “TIR”, aplikacioni që i referohet tre shkronjave të para të Tiranës dhe që synon t’i ndihmojë qytetarët të lëvizin më lehtë nëpër qytet.  Në aplikacion, përdoruesi mund të kërkojë nisjen nga çdo pikë e qytetit dhe të zgjedhë një destinacion. Krijuesi i tij është Aleksandër Xhuvani, vetëm 16 vjeç

“Po ti mund të kërkosh, mund të gjesh nga vendi ku je ti, mund të kërkosh për çfarëdo lloj vendi në Tiranë, mund të bësh si për shembull Kopshti zoologjik apo sheshi Skënderbe dhe ajo ta gjen rrugën më të shpejtë me autobus, të nxjerrë orarin, t'i nxjerrë drejtimet, do ecësh këtë rrugë, do kapësh çdo autobus te ky stancion dhe ta tregon edhe në hartë.”, thotë Aleksandër Xhuvani.

“TIR” është i disponueshëm në gjuhën shqipe dhe angleze. Aplikacioni është falas. Dhe deri më tani numëron disa qindra përdoruesë.

“Kur ua kam prezantuar shokëve dhe mësuesve kanë thënë që kjo ishte një gjë që vërtetë duhej. Sidomos atyre që e marrin autobusin e panë direkt vlerën e aplikacionit. Ata me thonë nuk e di kur do vijë, nuk e di cilin linjë duhet të marr. Unë njoh shumë shokë që e marrin autobusin dhe njohin vetëm çfarë ngjyre është dhe s'e dinë fare çfarë linje është apo çfarë rruge merr”, thotë i riu i cili krijoi “TIR”

Ideja për të ndërtuar “TIR.” i lindi që në moshën 14-vjeçare, kur për herë të parë i duhej të merrte një autobus në Tiranë, por nuk kishte asnjë informacion se nga t’ia niste.

“S’dija cilën linjë të merrja, sa kushtonte bileta, sa herë kalonte autobusi. Dhe s’munda ta gjeja as online. Kështu që ja dhashë këtë detyrë vetes, të krijojë këtë sistem. Puna për ta krijuar ka filluar para më pak se një vit”, shprehet 16-vjeçari.

Por pasioni për teknologjinë dhe programimin kishte nisur shumë më herët.

“Kam filluar të programoj që në moshën 10 apo 11 vjeç, duke ndjekur kurse falas në YouTube. Më vonë kam ndjekur dhe kurse në Tiranë, dhe kam mësuar gjuhë të ndryshme programimi”, thekson Xhuvani.

Sfida më e madhe në ndërtimin e aplikacionit ishte mungesa e të dhënave publike. Por me publikimin e informacionit zyrtar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me një projekt gjerman, GIZ, gjërat nisën të bëhen me realizueshme.

“Të dhënat janë në formatin GTFS, një standard që i bën të lexueshme për kompjuterin, rrjetin e transportit publik të qytetit”, shpjegon ai.

Aplikacioni për transportin publik, ishte pjesë e një pasioni nga i cili Xhuvani, nuk mund të shkëputet

“Besoj se do vazhdoj për informatikë për këto shkenca kompjuterike. Nuk kam ndonjë plan për aplikacion tjetër për momentin. Po do e shohim.”, thotë krijuesi i aplikacionit TIR.

G.M./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 01/08/2025 03:12

    Edhe ne kemi nje aplikacion te ngjashem,per numrin e autobuzit dhe kohen kur mbrin,ose kur eshte duke ardhur ne X,apo Y bus stop,nr.e tel te kompanise te autobuzeve.Te sugjeroj qe te lidhesh me bashkine,ose min.e transportit dhe aplikacioni juaj te shoqerohet sic e kemi ne, me nje tabele QR Code ne cdo stacion autobuzi qe udhetaret t'a skanojne.Ke nje ide te shkelqyer,te lumte,vazhdo ne kete rruge djalosh!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?