Speciale/ Adrian Çene, një rrëfim për artin modern tej fasadës së Galerisë Kombëtare (VIDEO)

17 Shkurt 2020, 20:43| Përditesimi: 17 Shkurt 2020, 22:18

  • Share

Për të mishëruar në telajo, pikërisht atë që ende nuk e kishte njohur brenda vetes, e duke rrëzuar butësisht modelet e mësuara, gjatë Liceut dhe Universitetit të Arteve, Adrian Çene zgjodhi rrugën më të rrezikshme: Injoroi interesat materiale dhe jetike e nuk bëri asnjë vepër thjesht për ta shitur diku apo dikujt.

Ai sot është një prej artistëve modernë shqiptarë që jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës, por veprat e tij strehohen  në koleksionet e galerive prestigjioze të Francës, Australisë, Austrisë e më gjerë.

Do të ishte vetëm një çast ai, që do ia ndërronte gjithë rrjedhën e jetës së piktorit.

Tablotë e tij me nuanca të dukshme të fovizmit dhe simbolizimit, dy dekada më parë, përgjatë një ekspozite në Tiranë, iu blenë nga një galeri arti në Francë, e atje u shitën me gjithsej! 

Kjo i dha krahë që vijonte të shfaqej me atë stilin e tij imponues, kundrejt formave të spikatura dhe paletave shumëngjyrëshe. 

Në një intervistë ekskluzivisht për Report Tv, piktori Adrian Çene rrëfen rrugën që ka ndjekur krijimtaria e tij si një art në tranzicion, çfarë e bëri atë që të përballej ndryshe me artin traditës, cilët ishin mentorët që i çelën të parën dritë në rrugën e suksesit.

Adrian Çene preferon të flas më tepër me gjuhën e tij të ngjyrave, por ai nuk mund të hesht për atë që po ndodh me artin modern përtej fasadës së galerive dhe institucioneve të kulturës në vendin tonë. Ai shprehet edhe për problemin e mungesës së tregut të artit, duke theksuar edhe nevojën e shndërrimit të Galerisë Kombëtare në një muze të niveleve bashkëkohore.

Intervista

Prej  vitesh ju njiheni si një nga piktorët më të mirë të arteve moderne, që së paku kritika ka shkruar për të përcaktuar edhe stilin, teknikat e krijimtarisë suaj, ndërkohë që mungon në përgjithësi kritika e pikturës shqiptare... Por, ajo që na sjell këtu, është për të mësuar se arti shqiptar ka një histori të të bërit të veprave, që është rruga e mjeshtërve tuaj që ju kanë edukuar në shkollat e artit, dhe pasoi piktura moderne si një frymëzim, si një risi nga piktorë të përkushtuar. Ajo që na bënë kuriozë është që të dimë sesi i keni bërë ju kalesat nga mësimi me artin klasik, sidomos me artin e realizmit në shkollë, dhe me ardhjen në frymën modernitetit?

-Unë ndoqa Liceun Artistik, që ishte një shkollë tipike tradicionale. Kishte ato metodat e asaj periudhe të realizmit socialit. Ne erdhëm nga një edukim i fortë me modelin. Dhe aty qe periudha e viteve ‘89 që unë isha në Akademi, dhe aty dy vjet i kalova ku mbizotëronte periudha  e realizmit socialist, dhe dy vjet të tjera i kalova në periudhën e lirisë. Isha me fat që isha ndërmjet dy periudhave. Domethënë, atë “armatim” që e mora nga këtë profesorë, e përktheva në një gjuhë më moderne.

Cilët janë profesorët që filluan të hapnin derën, të krijonin këtë hapësirë?

-Janë të shumtë, profesorë që sigurisht kanë lënë gjurmë në edukimin tim. Në lice ka qenë Hasan Çapari, ka qenë Met Deliu, një nga piktorët shumë të mirë të asaj periudhe, që i dha edhe një impuls liceut në ato vite që erdhi.  Pastaj më mbrapa në pikturë kam pasur Edi Ramën, që na jepte dhe kompozimin. Kam pasur Bashkim Ahmetin në vizatim, Niko Progrin, Jorgji Gjikopullin, Hasan Nallbanin e disa që jepnin edhe specialitete të ndryshme

Sapo përmendët kryeministrin aktual, një ish mësues, natyrisht edhe publiku është kurioz, si ka qenë ai si mësuesi juaj. Na trego disa momente të veçanta që ju të keni pasur një lloj inspirimi për të ndjekur linjën e tij, mësimet e tij apo temat e debatueshme të mësimdhënies që ka zakonisht shkolla e artit?

-Ai donte t’i thyente ato normat e shkollës klasike të asaj periudhe. Tentonte që të na mësonte diçka më tepër. Ajo qe periudha që ai bënte edhe refleksione. Sigurisht që ne shihnim tek ai një lloj mbështetjeje për diçka të re.

Si ua shpjegonte; nëpërmjet interpretimit, filozofimit, apo gjërat që dinte nga arti botëror?

-Ai na shpjegonte dhe gjatë mësimit, ndërmjet koncepteve, ndërmjet bisedave të ndryshme gjatë mësimit. Format e shpjegimit ishin nga më të ndryshmet, më mënyrë që ai të të impononte që të jepje rezultatin, edhe në detyrë, ose në atë që ai përcaktonte brenda konceptit mësimor që kishte ajo shkollë në atë kohë, sepse akoma nuk ishte shkëputur shkolla e lindjes që të kalonte në shkollën e perëndimit. Ajo metodologji ishte akoma, por ai gjente hapësira për të shpjeguar diçka më tepër.

Çfarë lënde konkretisht ju jepte Edi Rama?

-Ai na jepte pikturën, kompozimin, sepse unë isha në degën e pikturës monumentale.

Sot që e sheh në rolin e kryeministrit, ku ka ndodhur ajo ndarja nga artisti, në një politikan, si ndihesh para profesorit tënd, çfarë mendon për të ndonjëherë?

-Mirënjohje kam për çdo profesor që na mbështetën dhe na dhanë bazat e artit që ne jemi duke e praktikuar. Normalisht që unë e respektoj, por unë s’kam me të asnjë kontakt tani, se nuk ke as ku e takon...

Kur ka ndodhur dalja jote me pikturën e parë që pati një pëlqim në publik apo në opinionin, kur ajo u prezantua?

 -Që kur kam mbaruar shkollën, nuk kam ndaluar asnjë moment së pikturuari, ose së krijuari.  Dhe një nga mbështetëset të atyre viteve ka qenë galeria T@G me drejtor Tefik Dedejin. Aty kanë qenë hapat e  para që jam prezantuar edhe me publikun dhe ka filluar një lloj përthithje edhe nga koleksionistët e atëhershëm. Më mbrapa aty një nga këta agjentët e artit më pa disa punë dhe lidha kontakt në vitin 2000 që hapa ekspozitë në një galeri në Paris. Pra, u lidha shtatë vjet rresht me këtë galeri, dhe hapa edhe tre ekspozita personale atje dhe kam bërë goxha shitje. Krijova goxha klientelë. Ajo bëri atë kthesën, se krijoi edhe një farë sigurie tek vetja ime. Më pas me një galeri tjetër në Amerikë, në Australi së fundi, që janë ngjarje që të nxjerrin jashtë kontekstit shqiptar dhe të bëjnë të jesh në treg ndërkombëtar, që të jesh artist i niveleve ndërkombëtare, të mos ngelesh në zona e të vogla. Ishte një kthesë për artin tim.

Dalja juaj me stilin abstrakt në imazhet që kanë tablotë, kërkon edhe guxim apo jo, sepse ndonjëherë  piktura duhet shitur, duhet varur në një mur shtëpie apo në një muze dhe ju në momentin që Shqipëria ka qenë në gjendjen më të vështirë, që ka pasur probleme ekonomike, ju përsëri u mbështetët fort tek mënyra juaj e pikturimit, si sfiduat?

-Diçka kuptova me veten, që doja të bëja atë që vërtetë e ndjeja. Prandaj nuk u shkëputa. Nuk u hutova që të kapja diçka tjetër. Kjo, si duket, qe dashuri e fortë brenda meje që më mbajti. Dhe nuk kam bërë asnjëherë kompromis me këtë gjë, domethënë kam bërë atë që unë ndjeja, dhe me subkoshiencën time mendoja se  kjo do të jetë më afatgjatë sesa të përshtatem, dhe as e çoj nëpër mend kur punoj për shitjen. Sepse eksperimentoj zhanre të ndryshme dhe mjafton të kënaq atë egon estetike.

Duke e lënë në paqen e vet, atë misterin apo enigmën që ka gjithmonë piktura juaj në interpretimin e vet shikuesit, a mund të na thoni cilat janë temat më të dashura të pikturës tënde?

-Temat kanë të bëjnë me jetën time, me atë që shohim, që ndjej, edhe kur kaloj në kompozime. Unë kompozimet i marrë nga momentet që unë vet i jetoj. Janë gjëra të vogla, nuk janë tematika shumë të mëdha...

Po nëse dikush do të dijë, për shembull, se çfarë është fytyra e një vajze përballë një trompe (e pyes për pikturën që ka në murin e sallonit të shtëpisë)?

-(Qesh) Elementë që i kam në shtëpi. Por piktura nuk është diçka që duhet ta shpjegosh në fjalë, por simbolika e saj është ndoshta një lloj muzikaliteti që ka femra. Mund ta quajmë, por gjithsesi ky është një justifikim, nuk është se është thelbi i artit, i pikturës.  Ajo ka tjetër lloj gjuhe, flet me tjetër lloj gjuhe. Harmonizimi, koncepti estetik që ti krijon, emocioni momental që ti krijon. Kjo është filozofia e pikturës.

Mes kohës që të zë komunikimi në jetën e përditshme me njerëzit, me përkushtimin ndaj tyre, ndaj punës, ndaj  problemeve të jetës dhe atë ndërfutjen në botën tënde, që është ndryshe dhe që shfaqet vetëm nëpërmjet tablosë, sa kohë të merr ky lloj përjetimi, si gjendesh ti mes këtyre dy momenteve; punën studio dhe jeta jote reale?

-Unë nuk merrem me gjë tjetër. Merrem vetëm me pikturën, dhe çdo gjë, komunikimi, çdo takim, çdo gjë që kam, e vë në shërbim të kësaj, dhe kur kam bisedat apo takimet, unë mbaj atë ngarkesë që i shërben krijimit, deri në momentin që shkoj fizikisht dhe pikturoj. Domethënë 24 orë e kam mendjen tek kjo gjë. Edhe ku s’pikturoj, jam duke punuar për këtë gjë.

Kjo është sfidë të jetosh me artin. Si ndihesh pas kaq vitesh krijimtari, kur persona të veçantë fillojnë e fiksohen në një pikturë të caktuar tënden?

-Sigurisht që më vjen mirë. Sepse që të arrish rezultat tek diçka duhet të jesh i fokusuar totalisht aty. Si në çdo fushë duhet të këmbëngulësh që të marrësh rezultatin. Kështu që edhe unë e mendoj të tillë, që të merrem totalisht me pikturën. Nuk ka rëndësi është e vështirë apo jo. Sa më e vështirë, aq më ë madhe është fitorja, apo jo...

Tani që ke arritur plotësimin, realizimin tënd, e ndjen nevojën e një koordinimi të institucioneve të vendit, të përfshirjes në ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve, apo të komunikimit me kolegë të artit në aktivitet ë ndryshme.

-Me kolegët unë takohem përditë, nuk është e rëndësishme që të jem në aktivitet. Kurse përfshirja në Galerinë Kombëtare të artit, e të tjera gjithmonë në duket një rrugë shumë e vjetëruar, sepse në kohën e para ‘90-s gjithmonë ishte Galeria e Artit ajo që të jepte çdo shans, jemi në botë tjetër. Unë shoh me shqetësim, po, tregun e artit që duhet të lëvizi këtu, kurse galeria e artit nuk është në hesapin tim, është hallka e fundit, është muzeu. Ndërkohë duhet të ketë galeri dhe një rrjet tjetër që duhet të dalësh deri tek ajo e fundit. Nuk mund të shkosh nga zero direkt tek maja, dhe këtë treg e lëvizin galeritë private. Dhe kjo është shqetësuese, sepse nuk ka një treg  e galeri aq të rëndësishme sa të lidhin edhe me galeritë e tjera të Europës. Ka lëvizje të vogla, por nga këto galeri duhet të dalë edhe produkti i mirë që të shkosh në Muze. Galeria është hallka e fundit, nuk më duhet mua...

Pra ju si artist ju jeni në akord me ndërrimin e emrit nga Galeria Kombëtare e Arteve në Muze i Arteve ?

-Po edhe galeri po ta ketë emrin, ajo muze është prapë, nuk ka lidhje.

Por dikur ka pasur funksionin e ekspozitave, e promocionit dhe koleksionit. Tani ka një heshtje, vijon ndoshta kujdesi për koleksionin, por ka dhe një heshtje për sa iu përket aktiviteteve. Si e komentoni ju këtë?

-Kjo varet nga politika e vet drejtorit që është natyrë e tillë, që nuk ka edhe impulsivitet për ta zhvilluar. Nuk e di qëllimin dhe nuk është në interesat e mia ajo. I kanë ekspozuar shumë pikturat aty dhe nuk ka sjellë ndonjë ndryshim. Kanë ekspozuar që nga anonimi tek më të mëdhenjtë, ashtu humbet edhe rëndësinë vetë galeria, po nuk ruajti një standard. Pra nuk shoh se sjell ndonjë gjë ekspozimi atje. Nuk e shoh në rrugën tim, është e fundit fare. Ajo që është shqetësuese, është për shembull nga ana muzeale po, që nuk plotëson parametrat, është kthyer në një rraqe; për gjithë ato vepra, për gjithë histori aty. Është momenti të bëhet diçka e re se ka një thesar shumë të pasur aty me vepra arti të një periudhe që nuk kthehet më. Janë çështje temperature, lagështire, e të tjera. Madje nuk janë as prezentë për publikun, dhe e gjithë ajo rrecka që i kanë hedhur sipër, tregon se është kthyer galeria në një rraqe, domethënë.

Është e rëndësishme dhe fjala juaj kundrejt shumë debateve  për Galerinë Kombëtare.  Si një artist i arteve moderne përballë traditës që kanë krijuar piktorët më të shquar shqiptarë, sa vlerësues je, si do t’i çmoje?

-Është për t’u respektuar, pa diskutim! Janë njerëz që kanë bërë histori, janë lodhur. Dhe për këtë ata duhet të kenë një muze që t’i përfaqësojë më denjësisht dhe t’i shohim, se nuk dimë çfarë është aty brenda. Ndoshta është momenti për një muze arti taman, duhet të ballafaqohesh edhe me nivelet e Europës me artin, dhe nuk mund të ballafaqohesh me atë galeri. Duhet të shqetësohemi për këtë. Pastaj ne të rinjtë kemi kohë. Dhe nga ana tjetër, jo çdo grupim duhet të shkojë hajde se pa na hap dyert galeria.

Për sa i përket artit të realizimit socialist, mendon se ka vepra të mëdha, pavarësisht nga tematika që po diskutohet këto kohë?

-Po sigurisht që ka!

Si është ai raporti mes banalitetit dhe krijimtarisë së vërtetë?

-Tani ajo periudhë ka pasur edhe gjëra banale. As nuk diskutohet. Gjithsesi nga ana teknike ka gjëra shumë të bukura. Madje shumë elementë të tyre më ngacmojnë për t’i interpretuar një lloj gjuhe tjetër. Se edhe ne aty i kemi marrë bazat fillimisht, nuk shihnim gjë tjetër. Nuk janë  njerëz që nuk kanë bërë art. Kanë bërë art dhe kanë bërë art shumë të mirë. Madje po të kishin mundur, që të ishim të hapur me botën, disa prej tyre do të ishin artistë me nivel edhe në Europë. Po të mos kishin bërë ata art, s’do të kishim bërë art dhe ne, sepse ne nuk erdhën nga një terren i zbrazët. I bie që të shajmë vetveten.

Si mund ta seleksionojmë dhe të jemi syçelët ndaj abuzimeve me artin modern, që e justifikojnë me komente të ndryshme?

-Vetëm me tregun real shoshitet kjo punë. Ndaj thashë, nuk më intereson Galeria Kombëtare, sepse ky abuzim vjen ngaqë të gjithë duan të ekspozojnë atje, por atje je i favorizuar nga një element partiak ose pushteti, je i madh tre vjet apo katër, po ikën. Ndërsa ky sistem nxjerr në pah të vërtetën. Vepra është atje, është bërë, nuk ka rëndësi...

Mund të na e tregosh këtë eksperiencë të funksionimit të galerive nga përvoja juaj e ekspozimit dhe shitjes së veprave tuaja në Paris. Si erdhi ora e suksesit?

-Po prandaj por flas kështu, se kam ndjekur këtë lloj rruge dhe këtë eksperiencë e kam. Shansi qe një nga këto agjentet e artit, ndodhej këtu  në Tiranë, sepse bashkëshorti i saj punonte në një ambasadë franceze atëherë në vitet ‘99-2000 dhe eksperimentoi...Ajo më bleu kesh mua nja 33 piktura, dhe mendonte që ta provonte tek kjo galeri. E provoi, u shitën, dhe vazhdoi zinxhiri, domethënë atje nuk ka gjëra kot që të funksionojë, sepse në momentin që unë nuk do të jepja rezultat, eksperimenti i saj do të shkonte kot dhe nuk do të më thërriste më.  Dhe kur ti sheh se ka sukses, fillon ngre pjacën, fillon shkruan për ty kritika, shkruajnë të gjithë e fillon i ngre edhe ti nivelet e tua. Vazhdon puna. Edhe në Australi, dhe në Austri kam oferta të reja, edhe në Amerikë, në Nju Jork, vazhdon zinxhiri....

A mund të na thoni si e përcakton kritika stilin e veprave të tua, sepse çdo piktor krijon një identitet, një stil?

-Piktura ime është brenda meje. Unë nuk ndjek ndonjë modë, bëj stilin tim, edhe sepse nuk përkon me modën. Ndoshta tani përkon. Më vonë mund të mos përkojë me modën, por ti atë individualitetin tënd duhet ta ruash. Kështu që, po ndoqa modën, do të kem një falsitet dhe do të ngelem në nivele të vogla. Unë bëj punën, pastaj kritika më ka përcaktuar tek fovizmi e tek simbolizmi, por nuk është se është qëllimi im, jam elementë që janë brenda.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?