Të njëjtët, që pak muaj më parë e mbushnin me lavde, sot e flakën tej me një votë të ftohtë, si leckë të vjetëruar.
A është rënia e Veliajt një reflektim politik? Ndëshkim moral? Goditje e korrupsionit që premton një mëngjes më të pastër për shoqërinë? Një triumf i drejtësisë?
Do duhej të ishte.
Por ky nuk është një shënim mbi fatin e ish-kryebashkiakut, por mbi hipokrizinë dhe karakterin njerëzor në kohën e interesit. Mbi teatrin politik pa dinjitet. Mbi fundin e pashmangshëm të atyre që mendojnë se mund të ndërtojnë pushtet me njerëz pa bosht dhe hierarki politike pa filtër vlerash.
Veliaj është sot pasqyrë e vetes: i rrethuar nga njerëz që u përzgjodhën jo për integritetin, por për bindjen. Dhe ja ku jemi: Këta, thjesht orientojnë kokën nga era. Dje ishin me të, sot e shkelin.
Në një vend ku çdo promovim varet nga “njëshi”, ku politika u hap dyert vetëm rrufjanëve dhe të përkulurve, harroje karakterin në kohë të vështira, ndershmërinë e brendshme, integritetin personal, forcën e personalitetit përballë tundimit të interesit.
Pasojat e kësaj politike që zgjedh njerëz pa shtyllë kurrizore e tejkalojnë Veliajn. Ata që firmosën largimin e tij janë reflektim i një sistemi që nuk kërkon mendim, as karakter, vetëm bindje të verbër dhe servilizëm.
Problemi është që ky model ka dëmtuar rëndë jetën publike, ka përhapur një mesazh dëshpërues me ndikim të thellë në shoqëri: që nuk duhet të jesh i ndershëm, as i aftë për të bërë sukses; që integriteti nuk shpërblehet; që nëse nuk u puth duart këtyre, nuk të hapet asnjë derë; që karakteret e fortë nuk kanë vend në politikë; që kjo e fundit bëhet me njerëz që zgjidhen jo për vlerat, por për dobësitë.
Edhe kur i promovojnë si “të rinj”, si “modernë”, apo si “profesionistë” të ardhur nga jashtë, në fund dalin kartonë njerëzorë pa qëndrime, zgjatime të sistemit që i lindi.
Katër-pesë duar kanë gatuar një klasë politike ku çdo gjurmë karakteri është zëvendësuar nga shtirja, imitimi, përshtatja për interesa; gjithçka për të mbajtur pozita, përfitime ose mbrojtje. Pa respektuar asnjë parim të vërtetë, pa i qëndruar besnikë as asaj që shpallin vetë!
Shikoni “kundërshtarët politikë”! Dje desh e dogjën të gjallë në zyrë, duke ia bërë gjyqin pa gjyq, sot janë ulur në bankën e moralit dhe i mbrojnë “të drejtën e fjalës”!
Një tjetër batak, ku s’ka më parti, por rreshta që ndërrojnë ngjyrë si kameleonë.
Shkarkimi i Veliajt, edhe nga njerëz që vetë i zgjodhi, ushqeu dhe ngriti – është një leksion brutal, së pari për atë vetë. Por edhe për atë që sot vërvit rrufetë e që ka ndërtuar një kastë të ngjashme me oportunistë pa bosht. Sot lotojnë nga “emocioni” kur ai flet dhe i thurrin lavde të trasha në publik, nesër do bëhen rresht për t’i hedhur baltë mbi varrin politik.
Adhurues të përkohshëm, varrmihës të sigurt! Do gëlojnë, deri kur politika të mos jetë më pronë e “njëshit”, por pasqyrë e shoqërisë./Dita
Komente
