Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e Presidentit mbi zgjedhjet në Tiranë nuk është vetëm një zhvillim procedurial, është një kthesë simbolike. Një institucion i rëndësishëm i shtetit më në fund ngre kokën dhe vendos të luajë rolin e tij si gardian i Kushtetutës, jo si noter i vullneteve politike.
Në një klimë ku aktorët institucionalë shpesh nguten t’u japin formë dëshirave të mazhorancës, duke harruar detyrimet ligjore dhe balancën e pushteteve, ky vendim vjen si një dush i ftohtë mbi arrogancën politike.
Presidenti e dekretoi datën e zgjedhjeve pa pritur as shqyrtimin e ankesës së Veliajt, ndonëse Kushtetuta është e qartë për efektet pezulluese të një ankimimi. Ishte një veprim i nxituar, për të mos thënë i turpshëm – që tani është vënë në vend nga një Gjykatë Kushtetuese që tregon se shteti ende mund të funksionojë.
Ky nuk është triumfi i Erion Veliajt – ai ka ende shumë rrugë përpara – por një fitore e ligjit mbi arbitraritetin. Është një kujtesë se institucionet nuk janë aty për të përmbushur dëshirat e radhës, por për të ruajtur rregullat e lojës, për të krijuar precedentë që i qëndrojnë kohës.
Nëse kemi më shumë vendime si ky, ndoshta do kemi edhe më shumë besim. Dhe më pak neveri për shtetin.
Shikoni valën e përkrahjes online për vrasësin e gjykatësit për të kuptuar nivelin e kësaj neverie. Ajo lind kur qytetarët nuk shohin më kuptim te rregullat dhe kur ligji zbatohet vetëm për të dobëtit.
Neveria është pasoja më e rëndë e një shteti që tall veten dhe qytetarët e vet me institucione fasadë, që mbajnë vetëm emrin, jo peshën që duhet.
Ky vendim i Kushtetueses, sado teknik të duket, është një shembull që tregon se shteti mund të jetë serioz, dinjitoz dhe i drejtë – edhe kur ka presion, edhe kur loja është e madhe.
Kjo bën diferencën: jo vetëm në ligj, por në shpresë. Në fund demokracia nuk mbahet në këmbë vetëm nga votat, por nga besimi. Në një vend ku ky besim është bërë i rrallë si uji në shkretëtirë, çdo akt i drejtë është një pikë që ka rëndësi.
Komente
