Ish-sulmuesi i njohur brazilian, Adriano Leite Ribeiro ka 'hapur zemrën' në një rrëfim të ndjerë për DAZN në dokumentarin “Familja - Jeta e një Perandori”, ku ka folur për karrierën e tij, momentet e vështira dhe lidhjen me Interin.
'Perandori' që vinte nga Favela
Adriano pranon se epiteti “Perandor”, që i mbeti gjatë kohës te Interi, ishte një gjë që nuk e kishte imagjinuar kurrë.
“Ishte e çuditshme të më thërrisnin Perandor. Unë vija nga një lagje e varfër. Por nëse Zoti e donte këtë, nuk ka asgjë që mund të bësh.”
Lamtumira me Interin
Ai zbulon se vendimi për t’u larguar nga Interi erdhi pas një periudhe shumë të vështirë emocionale, sidomos pas humbjes së babait të tij.
“Pas vdekjes së babait nuk kisha më guxim për të luajtur. Do të kisha dëmtuar ekipin nëse do të qëndroja. Familja kishte nevojë për mua.”
Depresioni dhe përballja personale
Adriano flet hapur edhe për luftën me depresionin, një temë tabu në botën e sportit për vite me radhë:
“Njerëzit nuk e kuptojnë depresionin. Dukesha si të gjithë të tjerët, por nuk isha. Kam bërë atë që ndjeva me zemër. Miqtë dhe familja ishin me mua, kjo ishte më e rëndësishmja.”
Mbështetja nga familja zikaltër
Në kujtimet e tij, Zanetti, Cordoba, Materazzi dhe të tjerë zënë një vend të veçantë.
“Te Interi më pritën si vëlla, si bir. Më dhanë gjithçka që të qëndroja. Jam ende shumë i lidhur me ta.”
Vlerësimi për Chivu dhe krahasimi me Lukakun
Ai përgëzon ish-shokun e tij të skuadrës dhe tashmë trajnerin e Interit, Cristian Chivu, duke theksuar se ai ka profilin e duhur për të drejtuar klubin. Ndërsa, për stilin e lojës, Adriano sheh veten te Romelu Lukaku.
“Lukaku më ngjan më shumë nga të gjithë. Do të kishte qenë bukur të luaja me Conten.”
Për trajnerin e Brazilit, Carlo Ancelotti
Lidhur me emërimin e Ancelottit në pankinën e Brazilit, Adriano është optimist. “Për ne ishte zgjedhja e duhur. Na duhet dikush që kupton taktikën dhe di të ndërtojë ekip.”
E ardhmja larg futbollit
Në fund, ish-bomberi brazilian thekson se nuk e sheh veten në futbollin profesionist. “Luaj vetëm me miqtë për t’i bërë të lumtur. Kjo më mjafton.”
Një rrëfim prekës nga një legjendë që, përtej golave dhe festimeve karakteristike, mban në vete plagë të thella dhe një zemër që gjithmonë ka rrahur për familjen.
Komente
