Sali Berisha në konferencë për gazetarët

Opinion

Adriatik Doçi: Berisha tallet me demokratët, u thotë se shifra 59 mijë është më e vogël se sa 51 mijë

3 Mars, 22:42| Përditesimi: 3 Mars, 23:13

  • Share

Në konferencën e sotme për shtyp, Sali Berisha tha se në primaret e PD votuan 51 mijë anëtarë të PD. 

Sipas tij, kjo ishte pjesëmarrja më e madhe që nga viti 2013. Krahasimin me vitin 2013 e bëri me qëllim për të errësuar kohën kur partia drejtohej formalisht nga Lulzim Basha, si një periudhë me demokraci të përkeqësuar, gjatë të cilës anëtarët nuk ishin të motivuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e PD-së.

Deklarata e Berishës është një gënjeshtër fyese për demokratët (që nuk hanë bar). Në zgjedhjet e 23 korrikut 2017 për kreun e Partisë Demokratike numri i votuesve anëtarë të PD-së ishte 59834. Pra, në primaret e PD (2025) kanë marrë pjesë rreth 9 mijë anëtarë më pak se sa në zgjedhjet për kreun e PD në 2017, ku Lulzim Basha fitoi përballë Eduard Selamit. Vetëm nëse shifra 59 834 do të ishte më e vogël se sa shifra 50,834, atëherë krahasimi i Berishës do të ishte i vërtetë.

Ndërkaq, në zgjedhjet e korrikut 2013, që Berisha i referohet (Lulzim Basha përballë Sokol Olldashit), votuan 41 360 anëtarë të PD, rreth 19 mijë më pak se sa në 2017 dhe 10 mijë më pak se sa në 2025. Deri në vitin 2013, kryetari i PD zgjidhej nga Kuvendi i PD, ndërsa primaret janë risi e Berishës pas rrëzimit të Bashës, edhe pse sot tha se fituesit nuk e kanë vendin të sigurtë në listën e sigurtë. 

Shifrat tregojnë se pjesëmarrja më e madhe e anëtarëve të PD në zgjedhjet e brendshme është shënuar në 2017 kur partia drejtohej nga Lulzim Basha, qoftë edhe formalisht siç edhe ka pohuar disa muaj më parë.

Gjithsesi, këto shifra zyrtare duhet të merren me reserva nëse i referohemi një momenti sinqeriteti të Edi Palokës në janar të vitit 2022, kur tha se kishin manipuluar votat për të bërë Lulzim Bashën kryetar!

A.Q/a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?