Sali Berisha deklaron nëpër studio televizive, Facebook, takime e mbledhje se kreu i SPAK, Altin Dumani është i vetmi zyrtar shqiptar, i cili ka tre shtëpi me kursime nga rroga. Berisha ka sfiduar edhe gazetarët duke u kërkuan që t'i gjejnë një zyrtar tjetër që ka tre apartamente me rrogë shteti.
"Pyeteni veten shqiptarë, cili rrogëtar i shtetit mund të behët me 3 apartamente pa pasuri të tjera. Asnjë i vetëm, përveç Dumanit. Dumani është i vetmi zyrtar që i pjell rroga apartamente, sepse fsheh të ardhurat dhe ryshfetet që merr".
Akuzat dhe pretendimet e Berishës për pasurinë e Altin Dumanit janë një gënjeshtër, e cila hidhet poshtë me evidenca dhe fakte.
Së pari, Dumani nuk i ka blerë tre apartamentet vetëm me kursimet nga paga e tij dhe e bashkëshortes siç thotë Berisha, por edhe me kredi bankare, të ardhura nga qiratë dhe të ardhura të bashkëshortes nga përkthimet. Paratë me të cilat janë blerë tre pasuritë janë të ligjshme, janë paguar taksa, janë certifikuar si të tilla nga disa institucione si ILDKPKI dhe Vetingu.
Së dyti, Berisha e ka vlerësuar publikisht Dumanin në vitin 2019 (kur i kishte blerë apartamentet dhe kishte kaluar Vetingun), duke pohuar se ka pasur rezultate të kënaqshme kur ka drejtuar Task Forcën kundër korrupsionit në vitin 2007, ndonëse dha dorëheqjen pasi sipas tij i bëri presioni Edi Rama. Dumani 'doli i korruptuar' vetëm pasi hapi dosjet e korrupsionit dhe krimit të Familjes Berisha.
Së treti, ka jo një, por me dhjetra zyrtarë që kanë deklaruar tre ose më shumë apartamente me të ardhura nga rroga e shtetit, kombinuar me kredi bankare. Për shembull, deputeti i PD, Tritan Shehu ka 7 shtëpi me të ardhura bazë kursimet nga paga e tij dhe bashkëshortes.
Deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka të paktën 5 apartamente dhe njësi tregtare, përfshirë edhe një 'apartament' me oborr në Palasë.
Deputeti i PD, Edi Paloka ka 8 pasuri të paluajtshme, përfshirë tre shtëpi, një garazh dhe disa sipërfaqe toke. Njëra nga tre shtëpitë është një vilë në Golem.
Aleati i Berishës, Fatmir Mediu, me kredi si i pastehë dhe kursime nga paga ka blerë një vilë në Golem, apartament 191 m2 në Tiranë (sa 3 apartamentet e Dumanit), sipërfaqe toke dhe biznese në emër të të birit.
Deputetja e PD Jorida Tabaku deklaron apartament 300 m2 (sa tre apartamentet e Dumanit), si dhe një vilë në Hamallaj, me burim kredi, kursime dhe dhurata.
Monika Kryemadhi ka bërë një pallat me kursime nga paga dhe një kredi, nga cili shiti 13 apartamente dhe fitoi një vilë në Gjirin e Lalzit.
Një godinë dhe dy apartamente i ka deklaruar edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ndërkohë që dyshohet se po ndërton disa pallate përmes të birit.
Me kursime nga paga dhe kredi si i pastrehë, Flamur Noka ka blerë një pasuri te pallati te Liqeni, i cili kushton sa katër herë më shumë se sa tre apartamentet e Dumanit, madje ka blerë edhe një makinë BMW 40 mijë euro, edhe pse në mosbindje civile del me një makinë që kushton më shumë se një apartament.
Tre apartamente dhe një vilë ka deklaruar edhe ish ministri i Financave në qeverinë Berisha, Ridvan Bode, me burim të ardhura nga pagat.
Ish ministri Genc Pollo deklaron të paktën tre shtëpi, një nga të cilat në Qerret, me burim të ardhurash kredi dhe kursime.
E bija e Sali Berishës, Argita Malltezi dhe bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi, kanë deklaruar dhjetëra pasuri të paluajtshme, duke përfshirë 56 apartamente, disa prej të cilëve të blerë nga kursimet nga pagat si pedagogë dhe kredi, por kryesisht me para të pista, si sekserë të pushtetit të Berishës dhe përmes praktikave korruptive. Me një kredi me shumë pikëpyetje dhe dyshime të forta për pastrim parash, i biri Shkëlzen Berisha ka ngritur një fabrikë 1.8 milionë euro për përpunimin e boronicave.