Partia Demokratike ka nisur të zbusë dhe korrektojë qëndrimin e parë të prerë për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Mosnjohja e zgjedhjeve do të jetë në fuqi për zona të caktuara elektorale (ku PD-ja ka humbur) dhe vetëm për periudha të caktuara kohore.
Sot demokratët festuan fitoren në Qarkun e Lezhës, ku në përfundim të numërimit, arritën të ruanin mandatin e katërt. Festa e ekspozuar konfirmon njohjen e zgjedhjeve në këtë qark, ku me sa duket 'narkoregjimi' ka harruar për të tjetërsuar votën dhe bandat kanë përtuar për të vepruar si në qarqe të tjera.
Gjithashtu, demokratët kanë festuar fitoren në Lazarat, Kavajë, Kamëz, Kukës, Shkodër dhe Mirditë, por edhe në disa 'rripa elektoralë' nga Konsipoli në Vermosh, duke njohur rezultatin.
Me të njëjtin standard po operojnë edhe për votën e Diasporës. Kupola e PD ka njohur rezulatin e votimit nga Italia, Amerika, Britania e Madhe, Zvicra, Franca, Danimarka etj., por nuk njohin rezultatin e votimit nga Greqia, pasi rezultati i duket i çuditshëm.
Ndërkaq, edhe mosnjohja e pjesshme nga demokratët i rezultatit për zgjedhjet e 11 majit do të jetë në fuqi në periudha të caktuara kohore. Periudha e parë e mosnjohjes së pjeshme të zgjedhjeve përfshin datën 12 maji kur u humbja nisi të qartësohej deri në shtator.
Në shtator mosnjohja do të pezullohet për shkak të konstituimit të Parlamentit të ri dhe aktit të betimit, i domosdoshëm për marrjen 50 mandateve. Pas posedimit të mandateve, mosnjohja e zgjedhjeve do të aktivizohet edhe për një periudhë tjetër gjashtëmujore dhe më pas do të ndërpritet, për t'u aktivizuar më pas vetëm pas zgjedhjeve të 2029.
Komente
